Koalicioni VLEN del fitues në shumicën e komunave shqiptare
BKT
Rajoni dhe Bota

Koalicioni VLEN del fitues në shumicën e komunave shqiptare

Besnik Iseni /RTK Shkup

Në 32 komuna të Maqedonisë së Veriut dhe në Qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e administrimit u zhvillua sot balotazhi i zgjedhjeve lokale. VMRO -DPMNE e kryeministrit maqedonas, Hristian Mickovski, ka fituar zgjedhjet lokale në bllokun maqedonas dhe koalicioni VLEN ka fituar shumicën e komunave shqiptare.

VLEN në balotazh  ka fituar në 5 komuna dhe 5 të tjera në rrethin e parë zgjedhor.

Ky koalicion më rrethin e dytë fitoi në Tetovë, Bogovinë, Dibër,Strugë dhe në Dollnen.

Liderët e VLEN-it në një konferencë për medie thanë se tani renditen si forca e dytë në shtet.

"Sot përfundimisht u rrumbullakosua ndryshimi tek shqiptarët, VLEN arriti fitore bindëse thuajse në të gjithë komunat ku ishim në balotazh. VLEN është forca e dytë brenda shtetit", tha Adnan Azizi, nga VLEN

Kurse koalicioni, Aleanca Kombëtare  për Integrim në balotazh, ka fituar vetëm në komunën e Studeniçanit, dhe në tre komuna tjera ka fituar në raundin e parë zgjedhor.

Nga ky koalicion thanë se e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve me përgjegjësi.

"Ne kemi fituar shumicën e votës popullore në mbarë vendin me  23 mijë vota më shumë, por nuk kemi arritur të fitojmë garën për kryetar të komunave. Ne e pranojmë këtë rezultat me respekt dhe përgjegjësi", tha Ali Ahmti, kryetar i BDI-së.

Shqiptarët në këto zgjedhje kanë humbur komunën e Kërçovës, e cila për disa mandate udhëhiqej nga BDI.

Kjo komunë  është fituar nga kandidati i VMRO-DPMNE-s.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota