Vëllaznimi e regjistron fitoren e parë në këtë edicion
Uran Krasniqi/RTKLive
Vëllaznimi më në fund ka shijuar fitoren e parë në ProCredit Superligë.
"Kuqezinjtë" kanë triumfuar ndaj Borës me rezultat 91:79, në një ndeshje shumë interesante të zhvilluar të dielën në Gjakovë.
Ndeshja ka nisur me pak pikë, ndërsa çereku i parë është mbyllur me epërsi të lehtë të vendasve 18:17. Bora është treguar më e saktë në periudhën e dytë dhe ka arritur të shkëputet në fund të pjesës së parë, e cila ka përfunduar 37:44 për mysafirët.
Edhe fillimi i pjesës së dytë ka nisur më mirë për Borën, që ka shkuar deri në 40:52. Por Vëllaznimi nuk është dorëzuar dhe ka reaguar, duke përmbysur krejt ndeshjen dhe duke kaluar nga -12 pikë në +16 (86:70). "Kuqezinjtë" i kanë menaxhuar minutat e fundit dhe kanë fituar në fund me 91:79.
Ziggy Reid ka qenë lojtari më i mirë te Vëllaznimi me njëzet e shtatë pikë. Yor Anei ka shtuar tetëmbëdhjetë pikë e dymbëdhjetë kërcime, ndërsa Rron Dahsyla ka kontribuar me pesëmbëdhjetë pikë, katër kërcime e gjashtë asistime. Te Bora janë dalluar Tyson Jackson me shtatëmbëdhjetë pikë e dhjetë kërcime dhe Shaquan Jules me gjashtëmbëdhjetë pikë e shtatë kërcime.
Me këtë fitore, Vëllaznimi tani ka bilanc prej 1-3, ndërsa Bora mbetet pa fitore me 0-4 në këtë fillim sezoni.























