Vdes ish-nënpresidenti amerikan Dick Cheney
Sh.Ç|RTKlive
Ish-nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara dhe bashkëpunëtori i ngushtë i ish-presidentit George W. Bush, Dick Cheney, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare, njoftoi familja e tij.
Sipas njoftimit, Cheney vdiq të hënën në mbrëmje si pasojë e ndërlikimeve të pneumonisë, si dhe nga sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut.
Cheney shërbeu si nënpresident i SHBA-së gjatë të dy mandateve të presidentit Bush, nga viti 2001 deri në vitin 2009. Ai konsiderohet si një nga arkitektët kryesorë të “luftës kundër terrorizmit” dhe një prej mbështetësve më të fortë të ndërhyrjes amerikane në Irak.
Si një nga zërat më të fuqishëm që mbështeti pushtimin e Irakut në vitin 2003, Cheney paralajmëroi për ekzistencën e supozuar të armëve irakiane të shkatërrimit në masë — të cilat nuk u gjetën kurrë.
I njohur për pikëpamjet e tij të ashpra konservatore, Cheney u bë një figurë qendrore e politikës republikane të asaj kohe. Qëndrimet e tij mbi “teknikat e përforcuara të marrjes në pyetje” të të dyshuarve për terrorizëm, si mbytja e simuluar (waterboarding) dhe privimi nga gjumi, u kritikuan gjerësisht, përfshirë nga Komiteti i Inteligjencës së Senatit dhe Kombet e Bashkuara, si forma të torturës.























