Tajfuni Kalmaegi shkakton dëme të mëdha në Filipine e Vietnam
Bardhyl Bajrami / RTK
Tajfuni Kalmaegi, pasi kaloi Filipinet ku shkaktoi vdekjen e 188 personave, të enjten në mbrëmje ka mbërritur në Vietnam, duke sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të fuqishme që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Sipas autoriteteve, shpejtësia e erës ka arritur deri në 149 kilometra në orë, ndërsa në Vietnam janë raportuar pesë viktima.
Tajfuni ka shkulur drunj, ka dëmtuar kulme banesash e ndërtesash dhe ka thyer xhamat e dritareve në shumë objekte. Ndërprerje të energjisë elektrike janë raportuar në zona të ndryshme të vendit, duke lënë qindra mijëra familje pa rrymë. Para se tajfuni të mbërrinte, ushtria vietnameze kishte dislokuar mbi 260 mijë trupa dhe personel ndihmës, së bashku me 6,700 automjete dhe gjashtë aeroplanë, për t?u përballur me pasojat e stuhisë.
Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se ekipet emergjente kanë pranuar qindra thirrje nga qytetarët për rrëzime kulmesh dhe përmbytje.
Zëvendëskryeministri i Vietnamit, Tran Hong Ha, ka vizituar zonat e prekura në Quy Nhon Ward, për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga tajfuni. Gjatë vizitës, ai u ka kërkuar autoriteteve lokale të veprojnë me shpejtësi për pastrimin e rrugëve të bllokuara, rikthimin e energjisë elektrike dhe sigurimin e ujit të pijshëm për banorët e prekur.
Sipas Qendrës Kombëtare të Meteorologjisë, stuhia Kalmaegi tani është zhvendosur drejt Kamboxhias dhe Laosit.























