Irani përballet me thatësirën më të rëndë ndonjëherë
BKT
Rajoni dhe Bota

Irani përballet me thatësirën më të rëndë ndonjëherë

M.M./ RTKlive

Irani, veçanërisht kryeqyteti i tij, Teherani, po përballet këtë vjeshtë me një thatësirë të paparë, me reshje shiu në nivele rekord të ulëta dhe rezervuarë pothuajse bosh. Zyrtarët po u bëjnë thirrje qytetarëve të kursejnë ujin ndërsa kriza thellohet.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka paralajmëruar se, nëse së shpejti nuk bie shi mjaftueshëm, furnizimi me ujë i Teheranit mund të reduktohet. Por ai ka shtuar se edhe reduktimi mund të mos mjaftojë për të shmangur një katastrofë.

Këto komente kanë nxitur kritika në gazetat iraniane dhe në rrjetet sociale. Ish-kryebashkiaku i Teheranit, Gholamhossein Karbaschi, e quajti idenë “shaka”.

Zyrtarët meteorologjikë të Iranit thonë se nuk priten reshje shiu për 10 ditët e ardhshme.

Ndërkohë, kriza e ujit po ndikon tashmë jetën e përditshme në kryeqytet.

Frikë nga ndërprerjet e ujit

Qeveria po shpreson tani në reshjet e vonshme të vjeshtës, por parashikimet janë të zymta. Ministri iranian i Energjisë, Abbas Ali Abadi, ka paralajmëruar se situata mund t’i detyrojë autoritetet të ndërpresin furnizimin me ujë.

“Disa net mund ta ulim rrjedhën e ujit në zero,” tha ai.

Zyrtarët kanë njoftuar gjithashtu plane për të ndëshkuar familjet dhe bizneset që konsumojnë sasi të tepërt uji.

Ministri i Energjisë, Ali Abadi, tha se kriza e ujit në Teheran nuk vjen vetëm nga mungesa e reshjeve. Ai fajësoi rrjedhjet e ujit të shkaktuara nga infrastruktura shekullore e qytetit dhe madje përmendi edhe luftën 12-ditore të fundit me Izraelin.

Gjatë atij konflikti, Izraeli goditi lagjen veriore të Teheranit, Tajrish, më 15 qershor. Më pas, videot treguan përmbytje të rënda në zonë.

Një ditë pas sulmit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se kishin shënjestruar “qendra komanduese ushtarake” iraniane.

Kreu i Qendrës Kombëtare të Iranit për Menaxhimin e Klimës dhe Thatësirës, Ahmad Vazifeh, ka paralajmëruar se, përveç Teheranit, edhe digat në shumë provinca të tjera, përfshirë Azerbajxhanin Perëndimor, Azerbajxhanin Lindor dhe Markazin,  janë në “gjendje shqetësuese”, me nivele uji njëshifrore.

Në Mashhad, qyteti i dytë më i madh i Iranit, zyrtarët kanë dhënë alarmin po ashtu.

Kriza e ujit në Iran është ndërtuar për dekada me radhë.

Edhe Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, e ka pranuar në mënyrë të përsëritur kërcënimin që po afrohet, duke folur për mungesën e ujit në fjalimet e tij të Nowruz-it në vitin 2011 dhe në raste të tjera gjatë viteve në vijim.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota