Siria i bashkohet koalicionit të SHBA-së kundër ‘Shtetit Islamik’
M.M./ RTKlive
Siria do t’i bashkohet koalicionit ndërkombëtar për të luftuar grupin ‘Shteti Islamik’, duke shënuar një ndryshim të madh në politikën e jashtme të SHBA-së në Lindjen e Mesme, ka konfirmuar një zyrtar i lartë i administratës Trump.
Njoftimi erdhi pasi presidenti Donald Trump u takua në Shtëpinë e Bardhë me presidentin sirian, Ahmed al-Sharaa, vizita e parë ndonjëherë e një udhëheqësi sirian në SHBA.
Në një intervistë për ‘Special Report’ në ‘Fox News’, Al-Sharaa tha se vizita ishte pjesë e një “epoke të re” në të cilën Siria do të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara.
Trump ka shprehur mbështetjen e tij për Al-Sharaa-n, i cili deri vonë ishte shpallur terrorist nga qeveria amerikane.
Siria do të bëhet tani vendi i 90-të që i bashkohet koalicionit global, i cili synon eliminimin e mbetjeve të grupit të ashtuquajtur ‘Shteti Islamik’ dhe ndalimin e rrjedhës së militantëve të huaj drejt Lindjes së Mesme.
Pas takimit, një zyrtar i lartë i Administratës konfirmoi gjithashtu se Departamenti i Thesarit i SHBA-së, së bashku me Departamentet e Shtetit dhe të Tregtisë, do të shpallin masa të reja për të lehtësuar kufizimet ekonomike ndaj Sirisë dhe për të ofruar “qartësi për investitorët”.
Si pjesë e këtyre masave, Administrata do të pezullojë për 180 ditë zbatimin e ‘Aktit Caesar’, i cili që nga viti 2019 kishte vendosur sanksione ndaj ish-qeverisë siriane.
Duke folur me gazetarët në ‘Zyrën Ovale’ disa orë pas takimit, Trump tha se “ne duam ta shohim Sirinë të bëhet një vend i suksesshëm”.
“Dhe unë mendoj se ky udhëheqës mund ta arrijë këtë,” shtoi ai. “Vërtet besoj.”
Marrëdhëniet diplomatike midis Sirisë dhe SHBA-së kanë qenë të pezulluara që nga viti 2012, megjithatë tani SHBA-ja do të lejojë Sirinë të rihapë ambasadën e saj në Uashington.
Ky është takimi i tretë midis dy liderëve, pas një takimi në maj në kuadër të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe një darke gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator.
Vizita e Al-Sharaa-s në Shtëpinë e Bardhë përbën një transformim të jashtëzakonshëm për ish-xhihadistin.
Jo shumë kohë më parë, ai drejtonte një degë të Al-Kaedës, grupi përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit dhe shumë të tjera, përpara se të shkëpuste lidhjet me të.
Madje deri në fillim të këtij viti, ai ishte udhëheqës i grupit të armatosur islamist “Hayat Tahrir al-Sham”, të cilin SHBA e konsideronte zyrtarisht organizatë terroriste deri para katër muajsh, me një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kapjen e tij.
Departamenti i Thesarit e hoqi Al-Sharaa-n nga “lista e terroristëve globalë të posaçëm” vetëm javën e kaluar.
Që prej marrjes së postit të presidentit të përkohshëm të Sirisë, Al-Sharaa ka punuar për të zbutur imazhin e tij publik, ndërsa përpiqet të rindërtojë Sirinë, me ndihmën e huaj, pas 13 vitesh lufte.
“Ai ka pasur një të kaluar të vështirë,” tha Trump të hënën. “Dhe mendoj, sinqerisht, se po të mos e kishte pasur, s’do të kishte pasur as shansin e sotëm.”
Në intervistën e tij, Al-Sharaa tha se ai dhe Trump nuk kishin diskutuar për të kaluarën e tij, por ishin përqendruar në “tashmen dhe të ardhmen” e Sirisë si partnere “gjeopolitike dhe ekonomike” e Uashingtonit.
Nga ana e tij, Trump ka shprehur në mënyrë të përsëritur mbështetje për Al-Sharaa-n, duke e quajtur “djalë i ri, simpatik” dhe “luftëtar”.
Në qershor, presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, që, sipas Shtëpisë së Bardhë, do të ndihmojë në mbështetjen e “rrugës së vendit drejt stabilitetit dhe paqes”.
Në atë kohë, Administrata tha se do të monitorojë veprimet e qeverisë së re siriane, përfshirë “hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin” dhe përballjen me “terroristët e huaj” dhe grupet militante që veprojnë në vend.























