Senati miraton masën që përfundon bllokimin 40-ditor të buxhetit
Dardan Ramabaja /RTK
Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të dielën miratoi një masë që synon rihapjen e qeverisë federale dhe përfundimin e një mbylljeje 40-ditore që ka lënë mënjanë punonjësit federalë, ka vonuar ndihmat ushqimore dhe ka bllokuar udhëtimet ajrore.
Në një votim procedural, senatorët amerikanë miratuan projektligjin e ndryshuar i cili i jep fund bllokadës së buxhetit të qeverisë deri më 30 janar dhe do të përfshijë një paketë me tri projektligje për ndarjet buxhetore për një vit të plotë.
Nëse Senati përfundimisht e miraton masën e ndryshuar, ajo duhet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe t'i dërgohet presidentit Donald Trump për nënshkrim, një proces që mund të zgjasë disa ditë.
“Duket sikur po i afrohemi fundit të mbylljes”, u ka thënë Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë para votimit.
Sipas marrëveshjes së arritur, me një grup demokratësh që kundërshtuan udhëheqjen e partisë së tyre, republikanët u pajtuan të votonin në dhjetor për zgjatjen e subvencioneve sipas Aktit të Kujdesit Shëndetësor të Përballueshëm. Subvencionet, të cilat ndihmojnë amerikanët me të ardhura të ulëta të paguajnë për sigurim shëndetësor privat dhe që pritet të skadojnë në fund të vitit.
Votimi për të çuar përpara projektligjin u miratua me një diferencë prej 60 me 40, minimumi i nevojshëm për të kapërcyer një pengesë të Senatit.
Projektligji do t’u ndalonte agjencive federale të pushonin nga puna punonjësit deri më 30 janar, një fitore për sindikatat federale të punonjësve dhe aleatët e tyre. Do të pengonte fushatën e Trump për të zvogëluar fuqinë punëtore federale.
Rreth 2.2 milionë civilë punonin për qeverinë federale në fillim të mandatit të dytë të Trump, sipas të dhënave federale. Të paktën 300,000 punonjës pritet të largohen nga qeveria deri në fund të këtij viti për shkak të përpjekjeve të Trump për zvogëlimin e personelit.
Gjithashtu do të siguronte paga të prapambetura për të gjithë punonjësit federalë, përfshirë anëtarët e ushtrisë, agjentët e Patrullës Kufitare dhe kontrollorët e trafikut ajror.
Kur Senati të rimblidhet të hënën, udhëheqësit republikanë do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje dypartiake për të anashkaluar rregullat e Senatit dhe për të ecur shpejt drejt miratimit. Përndryshe, dhoma do të ketë nevojë për pjesën më të madhe të javës së ardhshme për të kaluar nëpër veprimet procedurale përpara se të votojë për miratimin përfundimtar, duke e zgjatur ndoshta mbylljen deri në fundjavën e ardhshme.























