Sulm vetëvrasës në Islamabad, 12 të vrarë e dhjetëra të plagosur
BKT
Rajoni dhe Bota

Sulm vetëvrasës në Islamabad, 12 të vrarë e dhjetëra të plagosur

Bardhyl Bajrami / RTK

Një sulm vetëvrasës para një gjykate në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, ka vrarë të  paktën 12 persona dhe ka lënë të plagosur të paktën 27 të tjerë. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme të Pakistanit, Mohsin Naqvi.

Naqvi tha se sulmuesi kishte planifikuar të godiste gjykatën e qarkut, por nuk arriti të hynte brenda. Sipas tij, sulmuesi e aktivizoi mjetin shpërthyes pranë një veture policie, pasi kishte pritur rreth 15 minuta.

Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, e ka dënuar ashpër sulmin vetëvrasës, ndërsa kryeministri Shehbaz Sharif ka deklaruar se pas këtij akti qëndrojnë grupe ekstremiste që, sipas tij, mbështeten aktivisht nga India.

India deri më tani nuk ka reaguar, ndërsa për sulme të mëparshme të ngjashme ka mohuar pretendimet e tilla.

Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Në një incident tjetër, që ndodhi të hënën në kryeqytetin indian, Delhi, një veturë shpërtheu duke vrarë tetë persona dhe plagosur disa të tjerë. Qeveria indiane e ka përjashtuar mundësinë që të bëhet fjalë për një sulm terrorist, por ka thënë se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

Herën e fundit që një sulm vetëvrasës goditi kryeqytetin e Pakistanit ishte tre vjet më parë, kur nga shpërthimi u vra një polic dhe u plagosën disa të tjerë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota