Trump i jep fund mbylljes rekord 43-ditëshe të qeverisë
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump i jep fund mbylljes rekord 43-ditëshe të qeverisë

M.M./ RTKlive

Presidenti Trump nënshkroi të mërkurën në mbrëmje projektligjin për financimin e qeverisë, duke i dhënë fund mbylljes më të gjatë në histori (43 ditë), duke shkaktuar vështirësi financiare për punonjësit federalë pa paga, por edhe në bllokada në shumë aeroporte.

Mbyllja thelloi ndarjet partiake në Uashington, pasi Trump ndërmori veprime të paprecedenta të njëanshme, përfshirë anulimin e projekteve dhe përpjekjet për të shkarkuar punonjës federalë, për të ushtruar presion mbi demokratët që të hiqnin dorë nga kërkesat e tyre, raporton AP.

Presidenti republikan fajësoi demokratët për situatën dhe sugjeroi që votuesit të mos i shpërblejnë ata në zgjedhjet e ardhshme afatmesme.

“Dua t’u them popullit amerikan: mos e harroni këtë. Kur të afrohen zgjedhjet afatmesme dhe të tjera, mos harroni çfarë i kanë bërë vendit tonë”, tha Trump.

Ceremonia e nënshkrimit u mbajt vetëm disa orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve miratoi masën me një votim kryesisht përgjatë vijave partiake, 222 pro dhe 209 kundër. Senati e kishte miratuar projektligjin të hënën.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota