Protestat e “Gjeneratës Z” në rrugët e Meksikës, 120 të plagosur
BKT
Rajoni dhe Bota

Protestat e “Gjeneratës Z” në rrugët e Meksikës, 120 të plagosur

Sh.Ç|RTKlive

Të paktën 120 persona, përfshirë 100 oficerë policie, u plagosën në protestat antiqeveritare në Mexico City të shtunën, njoftoi policia lokale.

BBC raporton se në kryeqytetin meksikan u mbajtën protesta të organizuara nga “Gjenerata Z”, kundër rritjes së krimit, korrupsionit, pandëshkueshmërisë, si dhe kundër qeverisë së Presidentes Claudia Sheinbaum.

Demonstruesit shkatërruan pjesë të barrierave që mbronin Pallatin Kombëtar, rezidencën e Presidentes Sheinbaum, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Shefi i sigurisë së Meksikës, Pablo Vazquez, u tha gazetarëve se 20 persona u arrestuan gjatë protestave për krime të tilla si grabitje dhe sulme.

Presidentja Sheinbaum deklaroi se protestat, të cilat u zhvilluan edhe në qytete të tjera të vendit, u financuan nga politikanë të krahut të djathtë që kundërshtojnë qeverinë e saj.

Protestat u organizuan pas një sërë vrasjesh, përfshirë vrasjen e kryetarit të bashkisë së Uruapanit, Carlos Manzo, i cili kishte bërë thirrje prej kohësh për veprime më të ashpra kundër karteleve të drogës. Ai u vra vetëm disa javë më parë.

Demonstruesit mbanin pankarta me mesazhe të tilla si “Ne të gjithë jemi Carlos Manzo”, ndërsa të tjerë mbanin kapele kaubojsh në shenjë homazhi për kryetarin e vrarë të Uruapanit, i cili u ekzekutua më 1 nëntor, teksa merrte pjesë në një festim të Ditës së të Vdekurve.

Manzo njihej për deklaratat e tij kundër bandave të përfshira në tregtinë e drogës në qytetin e tij dhe kërkonte masa të ashpra kundër anëtarëve të karteleve të armatosura që terrorizonin zonën.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota