Ish-kryeministrja Hasina dënohet me vdekje për krime kundër njerëzimit
BKT
Rajoni dhe Bota

Ish-kryeministrja Hasina dënohet me vdekje për krime kundër njerëzimit

Dardan Ramabaja /RTK

Kryeministrja e rrëzuar e Bangladeshit, Sheikh Hasina, është dënuar në mungesë për shtypjen e përgjakshme të kryengritjes së studentëve vitin e kaluar.

Një gjykatë në Bangladesh dënoi të hënën me vdekje kryeministren e rrëzuar Sheikh Hasina për krime kundër njerëzimit, duke përfunduar gjyqin njëmujor i cili e shpallë atë fajtore për urdhërimin e shtypjes së përgjakshme të kryengritjeje së udhëhequr nga studentët vitin e kaluar.

Vendimi vjen disa muaj përpara zgjedhjeve parlamentare që priten të mbahen në fillim të shkurtit.

Partia e Lidhjes Awami të Hasinës është ndaluar të marrë pjesë në zgjedhje dhe ekziston frika se vendimi mund të shkaktojë trazira të reja përpara zgjedhjeve.

Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve, gjykata e brendshme e krimeve të luftës në Bangladesh me seli në kryeqytetin Daka, dha vendimin për fajësi mes masave të rrepta të sigurisë dhe në mungesë të Hasinës, pasi ajo iku në Indi në gusht të 2024. Vendimi mund të apelohet në Gjykatën Supreme.

Djali dhe këshilltari i Hasinës, Sajeeb Wazed, ka deklaruar në prag të vendimit se ata nuk do të apelojnë nëse një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike nuk do të marrë detyrën me pjesëmarrjen e partisë së saj.

Gjatë gjyqit, prokurorët i thanë gjykatës se kishin zbuluar prova të komandës së saj të drejtpërdrejtë për të përdorur forcë vdekjeprurëse për të shtypur kryengritjen e udhëhequr nga studentët në korrik dhe gusht 2024.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, deri në 1,400 njerëz mund të jenë vrarë gjatë protestave midis 15 korrikut dhe 5 gushtit 2024, me mijëra të tjerë të plagosur - shumica e tyre nga të shtënat me armë zjarri nga forcat e sigurisë, në atë që ishte dhuna më e keqe në Bangladesh që nga lufta e pavarësisë e vitit 1971.

Hasina u përfaqësua nga një avokat mbrojtës i emëruar nga shteti, i cili i tha gjykatës se akuzat kundër saj ishin të pabaza dhe kërkoi lirimin e saj nga akuzat.

Përpara vendimit, Hasina i hodhi poshtë akuzat dhe drejtësinë e procedurave të Tribunalit, duke pohuar se një vendim fajësie ishte "një përfundim i paracaktuar".

Bangladeshi ka qenë i tensionuar përpara vendimit, me të paktën 30 shpërthime të ashpra bombash dhe 26 automjete të djegura në të gjithë vendin gjatë ditëve të fundit. Megjithatë, nuk ka pasur viktima.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota