Zyrtarë të Pentagonit në Kiev për plan të ri paqeje
M.M./ RTKlive
Zyrtarë të lartë të Pentagonit kanë mbërritur në Ukrainë për të "diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës" me Rusinë, ka thënë ushtria amerikane. Ekipi, i udhëhequr nga sekretari i Ushtrisë së SHBA-së, Dan Driscoll, pritet të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Kiev të enjten.
Raportimet filluan të qarkullojnë të mërkurën se SHBA-ja dhe Rusia kishin përgatitur një plan të ri paqeje, që përmbante lëshime të mëdha nga Ukraina. As Uashingtoni e as Moska nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht planin, raporton BBCNews, derisa më herët, të paktën 26 persona u vranë nga një sulm rus me raketa dhe dronë në qytetin perëndimor të Ukrainës, Ternopil, thanë zyrtarët atje.
“Sekretari Driscoll dhe ekipi i tij mbërritën këtë mëngjes në Kiev në emër të administratës, në një mision verifikimi për të takuar zyrtarë ukrainas dhe për të diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Ushtrisë, koloneli David Butler.
Driscoll shoqërohet nga shefi i shtabit të Ushtrisë së SHBA-së, gjenerali Randy George, komandanti kryesor i Ushtrisë amerikane në Evropë, gjenerali Chris Donahue, dhe rreshteri kryesor i Ushtrisë, Michael Weimer.
Driscoll dhe gjenerali George janë zyrtarët më të lartë ushtarakë amerikanë që mbajnë bisedime në kryeqytetin ukrainas që kur presidenti Donald Trump mori detyrën në janar.
Në një postim në X pas takimit, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Denys Shmyhal tha se në takim janë përqendruar te ”hapat e ardhshëm për zbatimin e marrëveshjeve historike të mbrojtjes të arritura nga presidenti Zelenskyy dhe presidenti Trump”.
Ai falënderoi gjithashtu Uashingtonin për “miratimin e shitjes së një pakete mbështetjeje për sistemin kundërajror PATRIOT me vlerë rreth 105 milionë dollarë”.
Më herët, një zyrtar ukrainas i tha CBS-it, partneri mediatik amerikan i BBC-së, se bisedimet gjatë vizitës do të përqendrohen në situatën ushtarake në terren, si edhe në planet për një armëpushim të mundshëm.
Zyrtari, i cili nuk u identifikua, tha se ”presidentët Zelenskyy dhe Trump tashmë kanë rënë dakord të ndalin konfliktin përgjatë vijave ekzistuese të angazhimit, dhe ka marrëveshje për dhënien e garancive të sigurisë”.
Kjo vjen ndërsa disa media raportojnë se SHBA-ja dhe Rusia kanë hartuar privatisht propozime për t’i dhënë fund luftës.
Duke cituar persona të njohur me çështjen, Axios, Financial Times dhe Reuters raportuan se planet kërkojnë që Kievi të heqë dorë nga disa territore dhe armë, si edhe të zvogëlojë ndjeshëm forcat e armatosura të Ukrainës.
Mendohet se i dërguari i posaçëm i Trump-it, Steve Witkoff, dhe i dërguari i Putinit, Kirill Dmitriev, kanë qenë të përfshirë në hartimin e planit prej 28 pikash.
BBC ka kërkuar koment nga Shtëpia e Bardhë dhe një përfaqësues i Witkoff-it.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, dukej se minimizoi raportimet.
“Në këtë rast, nuk kemi ndonjë risi shtesë për atë që e quajmë ‘fryma e Anchorage’,” tha ai për mediat shtetërore ruse të mërkurën, duke iu referuar samitit të gushtit mes Putinit dhe Trump-it në Alaskë, SHBA.
Marrëveshja e arritur gjatë takimit njëditor nuk është bërë publike.
Presidenti Zelensky ka përsëritur vazhdimisht se nuk do të bëjë lëshime territoriale ndaj Rusisë.
Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë, përfshirë SHBA-në, kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm përgjatë vijës së gjerë të frontit, por Moska e ka përjashtuar këtë, duke përsëritur kërkesat që Ukraina i konsideron si dorëzim de facto.
Në fillim të këtij muaji, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se parakushtet e Moskës për një marrëveshje paqeje, përfshirë dorëzimin e territorit, kufizime të rrepta për madhësinë e ushtrisë së Ukrainës dhe neutralitetin e vendit, nuk kanë ndryshuar që nga koha kur Putini i paraqiti ato dy muaj para pushtimit të plotë.
Ndërkohë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi për BBC se i dërguari i posaçëm për Ukrainën, Keith Kellogg, do të largohet nga posti në janar.
Ai raportohet të ketë vendosur se ky do të ishte një përfundim natyral i mandatit të tij, i cili kërkon miratim nga Senati përtej 360 ditëve.
Kellogg është parë si një avokat i rëndësishëm i Ukrainës në Shtëpinë e Bardhë gjatë një periudhe kur Trump shpesh është dukur se anon nga Rusia në këtë konflikt.























