Putin mbështet planin e paqes të Trump për Ukrainën
BKT
Rajoni dhe Bota

Putin mbështet planin e paqes të Trump për Ukrainën

Bardhyl Bajrami /RTK

Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur mbështetjen e tij për planin e paqes të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, një plan që i kërkon Kievit të bëjë lëshime territoriale të mëdha. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëron se vendi po kalon një nga momentet më të vështira në historinë e tij.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka mbështetur planin e presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke thënë se ai mund të shërbejë si pikënisje për një marrëveshje përfundimtare paqeje. Më herët, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se vendi po përballet me një nga momentet më të vështira në historinë e tij dhe rrezikon të humbasë Shtetet e Bashkuara si partner kyç, për shkak të përpjekjeve të Uashingtonit për ta shtyrë Kievin ta pranojë planin e paqes.

Presidenti amerikan Donald Trump, i pyetur në Zyrën Ovale, ka thënë se Zelensky “do të duhet ta pranojë” planin e paqes. Ai ka shtuar se e enjtja është një afat i përshtatshëm që Ukraina ta japë përgjigjen. Plani përfshin propozime që Kievi i ka përjashtuar më parë — përfshirë heqjen dorë nga zona që ende i kontrollon.

Sipas planit, Krimea e aneksuar nga Rusia në vitin 2014, si dhe rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, do të njiheshin nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, de facto, si territore ruse. Konflikti do të ngrinte në vijat aktuale të frontit në dy rajonet e tjera, Kherson dhe Zaporizhzhia, duke i lejuar Rusisë të mbante nën kontroll qytetin industrial Mariupol dhe lidhjen tokësore me Krimenë.

Ndërkohë, Kievi do të merrte garanci të besueshme sigurie nga SHBA-ja dhe Evropa, të modeluara sipas nenit 5 të NATO-s — që nënkupton se forcat perëndimore mund të përgjigjen ushtarakisht nëse Rusia kryen një sulm të ri të armatosur ndaj Ukrainës. Presidenti ukrainas, nën presion të madh për t’u pajtuar me planin amerikan të mbështetur nga Rusia, mësohet se ka zhvilluar biseda me aleatët evropianë dhe me NATO-n.

Në vitin 1994, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Ukraina pranoi ta dorëzonte arsenalin bërthamor në këmbim të garancive të sigurisë nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja, Franca dhe, më së shumti, nga Rusia. Kjo u formalizua në Memorandumin e Budapestit. Ndërsa në vitin 2015, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, u arrit Marrëveshja e Minskut, e ndërmjetësuar nga Franca dhe Gjermania dhe e nënshkruar nga Rusia dhe Ukraina.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota