Aleatët e Ukrainës shprehin shqetësime lidhur me planin e SHBA-së
A.BRTKLive
Aleatët e Ukrainës nga Evropa, Kanadaja dhe Japonia kanë shprehur shqetësime mbi një plan amerikan për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, duke thënë se “do të kërkojë punë shtesë”.
Në një deklaratë, ata thanë se plani kishte elemente “thelbësore për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, por përmendën shqetësime mbi ndryshimet e kufijve dhe kufizimet ndaj forcave të Ukrainës, BBC.
Zyrtarë të sigurisë nga Britania, Franca, Gjermania, SHBA-ja dhe Ukraina do të takohen tani në Gjenevë, Zvicër, të dielën për bisedime të mëtejshme.
Presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi më herët se Ukraina po përballet me “një nga momentet më të vështira në historinë tonë” për shkak të presionit nga SHBA-ja për të pranuar planin – detaje të rrjedhura të të cilit shihen si të favorshme për Moskën.
Presidenti amerikan Donald Trump i ka dhënë Ukrainës afat deri më 27 nëntor për të pranuar planin me 28 pika, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin tha se ai mund të jetë “bazë” për një marrëveshje.
Deklarata e përbashkët e së shtunës në samitin e G20 në Afrikën e Jugut u nënshkrua nga liderët e Kanadasë, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Japonisë, Holandës, Spanjës, Britanisë, Gjermanisë dhe Norvegjisë. Dy zyrtarë të lartë të BE-së ishin gjithashtu mes nënshkruesve.
Deklarata thotë se “Besojmë, pra, se drafti është një bazë që do të kërkojë punë shtesë. Jemi gati të angazhohemi për të siguruar që një paqe e ardhshme të jetë e qëndrueshme. Ne jemi të qartë mbi parimin se kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë.
“Jemi gjithashtu të shqetësuar për kufizimet e propozuara mbi forcat e armatosura të Ukrainës, të cilat do ta linin Ukrainën të pambrojtur ndaj një sulmi të ardhshëm.”
Deklarata shtoi: “Zbatimi i elementeve që lidhen me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n do të kërkonte pëlqimin e anëtarëve të BE-së dhe NATO-s përkatësisht”.
Plani amerikan i paqes, i përhapur gjerësisht në media, propozon që trupat ukrainase të tërhiqen nga pjesa e rajonit lindor të Donetskut që ata aktualisht kontrollojnë, dhe njohjen de facto të kontrollit rus mbi Donetskun, si edhe rajonin fqinj të Luhanskut dhe gadishullin jugor të Krimesë, i aneksuar nga Rusia në vitin 2014.
Plani përfshin gjithashtu ngrirjen e kufijve të rajoneve jugore të Ukrainës, Kherson dhe Zaporizhzhia, përgjatë vijave aktuale të frontit. Të dy rajonet janë pjesërisht të pushtuara nga Rusia.
Drafti amerikan do të kufizonte gjithashtu ushtrinë e Ukrainës në 600,000 personel, me avionë luftarakë evropianë të vendosur në Poloninë fqinje.
Kievi do të merrte “garanci të besueshme sigurie”, thuhet në plan, megjithëse nuk janë dhënë detaje. Dokumenti thotë se “prite të” që Rusia të mos pushtojë fqinjët e saj dhe që NATO të mos zgjerohet më tej.
Plani sugjeron gjithashtu që Rusia të “reintegrohet në ekonominë globale”, përmes heqjes së sanksioneve dhe duke e ftuar të ribashkohet me grupin G7 të vendeve më të fuqishme të botës – duke e rikthyer atë në G8.























