Polemikat rreth Vuçiqit pas hetimit italian:politika e së kaluarës në fokus
Anamari Repiq, RTK/Beograd
Ndërsa presidenti serb i quan pretendimet për përfshirje në sulme snajperiste “konstruksione politike”, hapja e hetimit në Itali ka rihapur debatin mbi rolin e tij në vitet ’90, sjelljen e elitave politike të atëhershme dhe domosdoshmërinë e zbardhjes së krimeve të luftës nga institucionet serbe.
Beogradi zyrtar i hodhi poshtë pretendimet për lidhjen e presidentit Aleksandar Vuçiq me sulmet snajperiste në Sarajevë, duke i quajtur ato “konstruksione politike”.
Presidenti i Serbisë deklaroi për media se “kurrë nuk ka mbajtur snajper” dhe paralajmëroi padi ndaj mediave që e kanë publikuar këtë informacion, duke theksuar se do të angazhojë avokatë ndërkombëtarë.
“Kurrë nuk kam dëgjuar për një ‘safari’ të tillë. Por kjo nuk është e rëndësishme. Nuk kam mbajtur pushkë. Aq pa lidhje është e gjithë kjo histori, dhe këtë e dinë të gjithë. Kam incizime, dëshmitarë, dhe aty ku pretendojnë se është pushkë, ka qenë tripodi i kamerës që e mbaja për kameramanin," tha Vuçiq.
Reagimet pasuan hapjen e hetimit nga Prokuroria e Milanos për dyshimet se shtetas të huaj kanë paguar për të qëlluar ndaj civilëve gjatë luftës në Bosnje, ndërsa në media është përmendur edhe emri i Vuçiqit.
Një pjesë e opinionit politik e mbështet hetimin në Itali si hap të rëndësishëm për zbardhjen e krimeve të viteve ’90, duke theksuar se roli i Vuçiqit nga ajo periudhë lidhet më së shumti me mbështetjen politike të ideve radikale.
Aleksandar Radovanoviq nga partia opozitare Lëvizja e Qytetarëve të Lirë tha se është mirë që Italia ka hapur çështjen që synon të hetojë njërën nga episodet më të errëta të luftërave të viteve ’90.
“Është e qartë se hapja e këtij rasti ka risjellë plagë të vjetra. Edhe pse jam i sigurt se Vuçiq nuk ka qëlluar në Sarajevë, politika që ai përfaqësonte me Sheshelin, ideja e Serbisë së Madhe dhe dërgimi i vullnetarëve në front tregojnë se ai mban pjesë të përgjegjësisë politike për të gjitha vuajtjet e luftës," tha Radovanoviq.
Kryetari i Forumit Demokratik Qytetar, Zoran Vulletiq, duke reaguar ndaj polemikave rreth rastit te snajperisteve ne Sarajeve, ka theksuar se fokusi nuk duhet të reduktohet vetëm në detaje teknike, por edhe në politikën që e përfaqëson periudhën e atëhershme.
"Është e pakuptimtë të diskutohet nëse Vuçiq mbante pushkë apo tripod. Thelbi është se ai atëherë mbështeste politikën e luftës së viteve ’90 dhe qëndronte mbi Sarajevë si promovues i saj. Nuk e pengonte Shesheli, as retorika që la pas vetes qindra mijëra viktima. Problemi kryesor është pikërisht mbështetja e një politike shkatërruese.”
Një pjesë e opinionit ne Serbi vlerëson se edhe Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë duhet të hapë një procedurë të ngjashme për të zbardhur plotësisht rastin “Sarajevo Safari”.
Organizatat për drejtësi tranzicionale rikujtojnë se në Serbi ka ende shumë raste të pazgjidhura të krimeve të luftës që kërkojnë reagim institucional.























