Izraeli godet një nga komandantët e lartë të Hezbollahut në Bejrut
BKT
Foto: AFP
Rajoni dhe Bota

Izraeli godet një nga komandantët e lartë të Hezbollahut në Bejrut

Luan Qorraj /RTK

Forcat Ajrore Izraelite kanë kryer një sulm ajror në një nga paralagjet e Bejrutit, duke pasur si cak shefin e stafit të Hezbollahut, Haytham Ali Tabatabai. Sipas autoriteteve izraelite, Tabatabai ka qenë përgjegjës për udhëheqjen e përpjekjeve të Hezbollahut për riarmatim dhe riorganizim pas humbjeve të pësuara në luftën e fundit me Izraelin.

Ky sulm, i pari në kryeqytetin libanez që nga fillimi i qershorit, shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe viktima. Autoritetet në Bejrut konfirmuan se një person ka humbur jetën dhe 21 të tjerë janë plagosur. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet, pasi dyshohet se nën rrënoja mund të gjenden edhe persona të tjerë.

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, deklaroi se Tel Avivi do të vazhdojë të parandalojë çdo kërcënim ndaj sigurisë së shtetit hebre, duke iu referuar raporteve të muajve të fundit që sugjerojnë rritje të numrit të raketave dhe dronëve në arsenalin e Hezbollahut, si dhe riorganizimin e njësive të tij luftarake — veprime që bien ndesh me marrëveshjen e paqes që parasheh çarmatimin e grupit.

Megjithëse Izraeli gjatë vitit 2024 neutralizoi pjesën më të madhe të udhëheqjes së Hezbollahut në operacione të ndryshme, Tabatabai kishte mbijetuar. Ai konsiderohej një nga figurat më të rëndësishme të lëvizjes dhe më herët kishte komanduar njësitë speciale të Hezbollahut në Siri dhe Jemen.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota