Kina kritikon Japoninë për qasjen ndaj Taivanit
BKT
Rajoni dhe Bota

Kina kritikon Japoninë për qasjen ndaj Taivanit

M.M./ RTKlive

Kina ka kritikuar deklaratat e kryeministres japoneze, Sanae Takaichi, lidhur me Taivanin, sipas të cilës, Japonia do të rreshtohet krah Taivanit në rast të ndonjë sulmi nga Kina.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, tha se Japonia “kaloi një vijë të kuqe” pas deklaratave të kryeministres Takaichi, e cila sugjeroi një ndërhyrje të mundshme ushtarake në rast të veprimeve kineze ndaj Tajvanit.

Diplomati më i lartë kinez kritikoi komentet e udhëheqëses japoneze, të cilat pohuan se një bllokadë detare ose ndonjë veprim tjetër kinez kundër Tajvanit mund të shërbejë si “arsye” për një përgjigje ushtarake japoneze, duke i cilësuar ato të pakujdesshme dhe “tronditëse”.

“Është tronditëse që udhëheqësit aktualë japonezë kanë dërguar publikisht sinjalin e gabuar për tentim ndërhyrjeje ushtarake në çështjen e Tajvanit, thanë gjëra që nuk duhej t’i thoshin dhe kaluan një vijë të kuqe që nuk duhej prekur,” tha Wang Yi në një deklaratë të shkruar, raporton euronews.

Ministri Wang shtoi se Kina duhet të “reagojë vendosmërisht” ndaj veprimeve të Japonisë dhe se të gjitha vendet kanë përgjegjësinë për të “parandaluar ringjalljen e militarizmit japonez.”

Deklaratat e Takaichit kanë çuar në rritjen e tensioneve mes dy vendeve gjatë javëve të fundit. Pekini, të premten, i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, duke kritikuar “shkeljen e rëndë të së drejtës ndërkombëtare” dhe normave diplomatike nga ana e saj.

“Nëse Japonia guxon të tentojë një ndërhyrje të armatosur në situatën ndërmjet dy brigjeve, kjo do të ishte një akt agresioni,” thuhet në letrën e ambasadori kinez në OKB, Fu Cong.

“Kina do të ushtrojë vendosmërisht të drejtën e saj për vetëmbrojtje sipas Kartës së OKB-së dhe së drejtës ndërkombëtare dhe do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin dhe integritetin e saj territorial,” shtoi ai.

Pekini e sheh Tajvanin e vetëqeverisur, një ish-koloni japoneze, si territor të vetin, që duhet të aneksohet me forcë nëse është e nevojshme.

Kina kundërshton përfshirjen e vendeve të tjera në çështjen e Tajvanit, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, të cilat janë furnizuesi kryesor i armëve për ishullin, si dhe aleatët e SHBA-së në Azi, përfshirë Japoninë dhe Filipinet.

Qëndrimi i kryeministres japoneze shihet më i fortë se ai i kryeministrave japonezë të mëparshëm, të cilët kanë shprehur shqetësim për kërcënimin kinez ndaj Tajvanit, por nuk kanë thënë publikisht se si do të përgjigjej Japonia.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota