Papa Leoni XIV nis vizitën e parë jashtë Vatikanit në Turqi
RTKlive
Papa Leoni XIV mbërriti të enjten në Turqi, duke shënuar vizitën e tij të parë jashtë shtetit që prej marrjes së detyrës si kreu i Kishës Katolike.
Në fillim të qëndrimit katërditor, Ati i Shenjtë zhvilloi takimin e tij të parë zyrtar me presidentin Rexhep Taip Erdogan dhe parashikohet të takohet edhe me udhëheqës të komuniteteve të krishtera në vend.
Gjatë fluturimit drejt Ankarasë, Papa deklaroi para më shumë se 80 gazetarëve se këtë udhëtim e kishte pritur me padurim, për shkak të rëndësisë së tij për të krishterët dhe për mesazhin që, sipas tij, i transmetohet gjithë botës. Ai e përshkroi vizitën në Turqi si “një moment historik”.
Një nga pikat kryesore të agjendës së Papës është vizita në qytezën e Iznikut, dikur qyteti i lashtë i Nikesë. Atje ai do të marrë pjesë në përkujtimin e 1700-vjetorit të Këshillit të Parë të Nikesë, mbledhje në të cilën në vitin 325 pas Krishtit më shumë se 200 ipeshkvë konfirmuan doktrinën se Jezusi është Biri i Zotit – akt që çoi në hartimin e Kredos së Nikesë, një prej themelgureve të besimit katolik.
Programi i Papës përfshin gjithashtu edhe vizitën në Xhaminë Blu, një prej simboleve më të njohura fetare dhe kulturore të Turqisë. Leoni XIV është Papa i pestë që viziton këtë vend, pas Palit VI në vitin 1967, Gjon Palit II në 1979, Benediktit XVI në 2006 dhe Papës Françesku në vitin 2014.
Pas përfundimit të vizitës në Turqi, Papa do të udhëtojë drejt Libanit, vend i goditur rëndë nga kriza politike dhe ekonomike, si edhe nga bombardimet e vazhdueshme izraelite të ditëve të fundit, pavarësisht shpalljes së një armëpushimi.























