Tensionet SHBA-Venezuelë: Hapësira ajrore e mbyllur
BKT
Rajoni dhe Bota

Tensionet SHBA-Venezuelë: Hapësira ajrore e mbyllur

Dardan Ramabaja / RTK

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se hapësira ajrore mbi dhe përreth Venezuelës duhet të konsiderohet “e mbyllur në tërësi”, duke shkaktuar ankth dhe konfuzion në Karakas, teksa administrata e tij rrit presionin ndaj qeverisë së presidentit Nicolas Maduro.

“Për të gjitha linjat ajrore, pilotët, tregtarët e drogës dhe trafikantët e qenieve njerëzore, ju lutem konsideroni hapësirën ajrore sipër dhe përreth Venezuelës të mbyllur në tërësi”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.

Megjithatë, zyrtarë amerikanë të kontaktuar nga mediat thanë se nuk ishin në dijeni të ndonjë operacioni ushtarak për zbatimin e një mbylljeje të tillë.

Në një reagim zyrtar të së shtunës, qeveria e Venezuelës e dënoi deklaratën e Trump, duke e cilësuar si “kërcënim kolonialist” ndaj sovranitetit të vendit dhe të papajtueshme me të drejtën ndërkombëtare. Sipas Karakasit, postimi i presidentit amerikan paraqet “një akt armiqësor, të njëanshëm dhe arbitrar”.

Administrata Trump prej kohësh ka shqyrtuar opsione të ndryshme për të rritur presionin ndaj Maduros, përfshirë pretendimet se regjimi venezuelas ka rol në trafikun e drogës drejt SHBA-së—akuza që Maduro i ka mohuar. Reuters ka raportuar se Washingtoni ka marrë në konsideratë edhe skenarë për rrëzimin e Maduros, ndërsa ushtria amerikane ka kryer një grumbullim të madh forcash në Karaibe dhe operacione disa mujore kundër anijeve të dyshuara për trafik droge pranë brigjeve të Venezuelës.

Raportohet gjithashtu se Trump ka autorizuar operacione të fshehta të CIA-s në Venezuelë, duke e tensionuar edhe më tej situatën mes dy vendeve.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota