Chelsea me dhjetë lojtarë merr barazim ndaj Arsenal
BKT
Sport

Chelsea me dhjetë lojtarë merr barazim ndaj Arsenal

Uran Krasniqi/RTKLive

Chelsea ka arritur të marrë një barazim të vlefshëm 1:1 ndaj Arsenal në “Premier League”, edhe pse për më shumë se gjysmën e ndeshjes ka luajtur me dhjetë lojtarë.

Megjithatë, Arsenal, i ka mjaftuar ky rezultat për ta zgjatur serinë pa humbje në shtatëmbëdhjetë ndeshje rresht në të gjitha garat.

Derbi nisi me ritëm të lartë. Saka e ka pasur rastin e parë serioz, por portieri Sanchez e ka ndalur goditjen e tij nga afërsia. Chelsea më pas e ka marrë lojën në dorë, me Enzo Fernandez që ka detyruar ndërhyrje nga David Raya.

Tensionet janë rritur dhe në minutën e 38-të dhe Moises Caicedo është ndëshkuar me karton të kuq pas një ndërhyrje ndaj Mikel Merino. Kjo ka qenë hera e gjashtë këtë sezon që Chelsea ka mbetur me një lojtar më pak. Megjithatë, vendasit ia kanë dalur ta mbyllnin pjesën e parë pa pësuar.

Edhe me një lojtar më pak, Chelsea ka kaluar në epërsi pas pushimit. Një top i dërguar nga Reece James është shndërruae në gol nga Trevoh Chalobah, i cili ka goditur saktë me kokë pranë shtyllës së parë. Kjo ka qenë ndeshja e tetë rresht në kampionat ku Chelsea shënon golin e parë.

Por avantazhi ka zgjatur vetëm njëmbëdhjetë minuta. Mikel Merino, i shërbyer bukur nga Saka, e ka barazuar me një goditje me kokë. Arsenal e ka marrë kontrollin e lojës dhe ka kërkuar përmbysjen, por edhe Chelsea ka pasur rastet e veta, përfshirë një goditje të rrezikshme nga Viktor Gyokeres që është ndalur nga Raya.

Në fund, ndeshja është mbyllur 1:1. Chelsea ka fituar vetëm një nga dymbëdhjetë përballjet e fundit me Arsenal në kampionat.

Pas kësaj ndeshje, Chelsea mbetet gjashtë pikë prapa Arsenal, ndërsa “Topçinjtë” e ruajnë kryesimin, me Manchester City pesë pikë larg në vendin e dytë.