Mesazh uniteti nga Libani: Papa lutet për paqen e botës
M.M./ RTKlive
Papa Leo XIV u lut të hënën në varrin e një shenjti libanez të nderuar si nga të krishterët, ashtu edhe nga myslimanët, duke hapur ditën e tij të parë të plotë në Liban me një mesazh paqeje dhe bashkëjetese fetare në një rajon të përfshirë nga konfliktet.
Çdo vit, qindra mijëra pelegrinë vizitojnë manastirin në majë të kodrës të Shën Maronit, me pamje nga deti, për t’u lutur në varrin e Shën Sharbel Makhloufit, një eremit maronit libanez që jetoi nga viti 1828 deri më 1898. Ai njihet për shërimet e supozuara mrekullibërëse që kanë ndodhur pasi njerëzit janë lutur për ndërmjetësimin e tij.
Leo u lut në heshtje në varrin e errësuar dhe dhuroi një llambë si simbol drite për manastirin.
“Vëllezër dhe motra, sot ia besojmë ndërmjetësimit të Shën Sharbelit nevojat e Kishës, Libanit dhe botës,” tha Leo në frëngjisht. “Për botën kërkojmë paqe. Veçanërisht e lutim për Libanin dhe për të gjithë Levantin”, raporton AP.
Vizita e Leos në varr, e para nga një papë, hapi një ditë të ngarkuar për papën e parë amerikan në histori. Ai pritet të takohet me priftërinj dhe murgesha katolike në një faltore në Harisa dhe më pas të kryesojë një takim ndërfetar së bashku me udhëheqës të krishterë dhe myslimanë të Libanit në kryeqytetin Bejrut.























