Protesta në Greqi, fermerët mbyllin autostradën kryesore
BKT
Rajoni dhe Bota

Protesta në Greqi, fermerët mbyllin autostradën kryesore

M.M./ RTKlive

Fermerët grekë kanë bllokuar rrugë kryesore kombëtare me traktorë, duke e ndarë praktikisht në dy pjesë autostradën kryesore veri-jug të vendit, në shenjë proteste kundër rritjes së kostove të prodhimit, çmimeve të ulëta dhe vonesave në pagesat nga qeveria.

Të hënën, autostrada Athinë-Selanik mbeti e mbyllur në zonën e Larissa-s, ku traktorët ishin rreshtuar, ndërsa policia e qarkullimit po devijonte trafikun në rrugë alternative për të shmangur kaosin, raporton euronews.

Bllokada vjen pas arrestimit të dhjetëra personave javën e kaluar në një skandal në rritje të mashtrimit në sektorin bujqësor, i cili zbuloi se miliona euro ishin paguar në mënyrë të paligjshme si subvencione nga OPEKEPE, institucioni përgjegjës për shpërndarjen e fondeve bujqësore të Bashkimit Evropian. Ky skandal ka zemëruar fermerët dhe ka shtuar kontrollin mbi pagesat e subvencioneve në vend.

Gjatë hetimit paraprak, thuhet se 324 persona rezultuan përfitues të subvencioneve në vlerë totale prej 19.6 milionë eurosh, sipas European Public Prosecutor's Office (EPPO).

Fermerët dhe shoqatat bujqësore po zhvillojnë protesta në autostradën Athinë–Selanik, duke sjellë gjithnjë e më shumë makineri dhe traktorë për të forcuar bllokadën. Autoritetet raportojnë se në Platykambos janë kryer dy arrestime, një për dhunë ndaj zyrtarëve, dëmtim prone dhe rezistencë, dhe një tjetër për dëmtim. Një arrestim i tretë është bërë në nyjën e Nikaia-s për lëndime trupore dhe rezistencë.

Në gjykatën e Larissës, fermerët nga bllokada e Nikaia-s e rinovuan “takimin” e tyre pas mobilizimit të së dielës para ndërtesës së Drejtorisë së Policisë së qytetit, duke kërkuar lirimin e të arrestuarve.

Meqë nga qeveria ende nuk ka pasur asnjë garanci apo deklaratë zyrtare, protestat pritet të përhapen në të gjithë Greqinë deri më 5 dhjetor, me bllokime të tjera rrugësh, një taktikë që fermerët e përdorin shpesh për të ushtruar presion mbi autoritetet.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota