SHBA kërkon sqarime nga Hegseth për sulmin në Venezuelë
BKT
Rajoni dhe Bota

SHBA kërkon sqarime nga Hegseth për sulmin në Venezuelë

Dardan Ramabaja / RTK

Ligjvënësit amerikanë po i bëjnë presion administratës Trump për përgjigje në lidhje me sulmet ushtarake ndaj anijeve të dyshuara të drogës në Venezuelë, pas një raporti që pretendonte se një sulm pasues ishte urdhëruar për të vrarë të mbijetuarit e një sulmi fillestar.

Komisionet e udhëhequra nga republikanët që mbikëqyrin Pentagonin janë zotuar të kryejnë "mbikëqyrje të fuqishme" të sulmeve të anijeve amerikane në Karaibe, pas raportit.

Të premten, The Washington Post raportoi se një sulm amerikan ndaj një anijeje më 2 shtator la dy të mbijetuar, por se një sulm i dytë u krye për t'u përmbajtur urdhrave të Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth për të "vrarë të gjithë" në bord, duke ngritur pyetje të reja mbi ligjshmërinë.

Por sekretari Hegseth e cilësoi raportin si "lajm të rremë". Ndërsa të dielën, Presidenti i Trump tha se i besonte sekretarit të tij të mbrojtjes "100%".

Në javët e fundit, SHBA-të kanë zgjeruar praninë e tyre ushtarake në Karaibe dhe kanë kryer një seri sulmesh vdekjeprurëse ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge në ujërat ndërkombëtare pranë Venezuelës dhe Kolumbisë, si pjesë e asaj që e quan një operacion kundër narkotikëve.

Më shumë se 80 persona janë vrarë që nga fillimi i shtatorit.

Administrata Trump thotë se po vepron në vetëmbrojtje duke shkatërruar anije që transportonin drogë të paligjshme në SHBA.

Administrata Trump është përpjekur të justifikojë operacionet e saj në Karaibe duke thënë se është në një konflikt të armatosur jo-ndërkombëtar me trafikantët e dyshuar të drogës.

Rregullat e angazhimit në konflikte të tilla të armatosura - siç përcaktohen në Konventat e Gjenevës ndalojnë shënjestrimin e pjesëmarrësve të plagosur, duke thënë se këta pjesëmarrës duhet të kapen dhe të trajtohen.

Ligjvënësit republikanë dhe demokratë që u shfaqën në emisionet amerikane të dielën thanë se mbështesin shqyrtimet e Kongresit për sulmet me anije.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota