Deputetja britanike gjykohet në mungesë në Bangladesh
M.M./ RTKlive
Tulip Siddiq, mbesa e ish-kryeministres së Bangladeshit, Sheikh Hasina, reagon ndaj vendimit të “gjykatës kangur”. Deputetja britanike, Tulip Siddiq, është dënuar me dy vjet burg, në mungesë, pas një gjykimi për korrupsion në Bangladesh.
Sipas raportimit të BBC-së për gjyqin, Siddiq, ish-ministre në qeverinë britanike, u gjet fajtore për ndikim ndaj të ëmës, ish-kryeministres së Bangladeshit Sheikh Hasina, për të siguruar një parcelë toke për familjen e saj në periferi të kryeqytetit Dhaka.
Siddiq ka mohuar fuqishëm këto akuza, pasi ajo jeton në Londër dhe përfaqëson zonën zgjedhore Hampstead dhe Highgate.
Ky rast është një nga shumë çështjet e ngritura nga prokurorët kundër Hasinës dhe familjes së saj në Bangladesh. Hasina iku nga vendi vitin e kaluar, pas më shumë se një dekade në pushtet. Ish-kryeministrja u dënua me vdekje në një gjyq tjetër dy javë më parë.
Siddiq dha dorëheqjen nga posti i ministres së Thesarit në janar pas raporteve të shumta mediatike, që ajo i ka kundërshtuar fuqishëm, se kishte përfituar nga sundimi i familjes së saj në Bangladesh. Ajo tha se nuk dëshironte të ishte një “pengesë” për qeverinë.
Në një deklaratë në fillim të gjyqit, Siddiq tha se prokurorët kishin “shpërndarë akuza të rreme dhe të dëmshme, të cilat janë dhënë për media dhe theksoi se ajo “nuk kishte bërë asgjë të gabuar.”
“Vazhdimi i njollosjes së emrit tim për të fituar pikë politike është si i pabazë ashtu edhe i dëmshëm,” shtoi ajo.
Një grup avokatësh të shquar, përfshirë ish-sekretarin britanik të Drejtësisë Robert Buckland, ish-prokurorin e Përgjithshëm, Dominic Grieve, dhe Cherie Blair, avokate për të drejtat e njeriut dhe gruaja e ish-kryeministrit Tony Blair, javën e kaluar thanë se gjyqi ishte “i manipuluar dhe i padrejtë.”
Mbretëria e Bashkuar nuk ka marrëveshje ekstradimi me Bangladeshin. Në një deklaratë të re të hënën në mëngjes, Siddiq kritikoi atë që e quajti një proces “të mangët dhe qesharak”.
“Rezultati i kësaj gjykate kangur është po aq i parashikueshëm sa është i padrejtë,” tha ajo.
“Shpresoj që ky i ashtuquajtur ‘vendim’ të trajtohet me përbuzjen që meriton. Fokusimi im ka qenë gjithmonë te zgjedhësit e mi në Hampstead dhe Highgate dhe refuzoj të shpërqendrohem nga politika e pistë e Bangladeshit.”























