Izraeli vret dy palestinezë të dyshuar për sulm në Bregun Perëndimor
M.M./ RTKlive
Forcat izraelite të martën qëlluan dhe vranë dy të dyshuar palestinezë të kërkuar për dy sulme që plagosën tre izraelitë në Bregun Perëndimor.
Ky ishte shpërthimi i fundit i dhunës në këtë territor, ku përleshjet janë shtuar ndjeshëm javët e fundit.
Ushtria izraelite tha se trupat qëlluan dhe vranë një të dyshuar që kishte therur me thikë dy ushtarë, në një vendbanim izraelit në veri të Ramallahut, në pjesën qendrore të Bregut Perëndimor. Ushtria shtoi se incidenti është nën shqyrtim, raporton AP.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se forcat izraelite vranë një palestinez 18-vjeçar në veri të Ramallahut, por nuk ishte menjëherë e qartë nëse bëhej fjalë për të njëjtin incident.
Shërbimi izraelit i emergjencës, MADA, njoftoi se dy ushtarë u plagosën lehtë. Në jug të Bregut Perëndimor, ushtria tha se ka qëlluar dhe vrarë një palestinez që më herët kishte kryer një sulm me makinë, duke plagosur një ushtare.
Sipas ushtrisë, personi tentoi të ikte, teksa po përpiqeshin ta arrestonin pranë qytetit të Hebronit, “duke rrezikuar jetën e ushtarëve”, dhe u qëllua për vdekje.
Ministria palestineze e Shëndetësisë e identifikoi të dyshuarin si një 17-vjeçar, banor i Hebronit.























