Polonia forcon flotën në Baltik me investim prej 2.3 miliardë €
BKT
Rajoni dhe Bota

Polonia forcon flotën në Baltik me investim prej 2.3 miliardë €

M.M./ RTKlive

Polonia po forcon praninë e saj në Detin Baltik duke investuar në nëndetëse moderne. Gjeneral-lejtnant Jarosław Gromadziński theksoi rëndësinë e këtij vendimi për sigurinë e rajonit dhe të Evropës.

Polonia ka rënë dakord të blejë tre nëndetëse suedeze në një marrëveshje me vlerë rreth 2.3 miliardë euro, si pjesë e programit të shumëpritur të modernizimit detar “Orka”.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, njoftoi se Polonia do të marrë nëndetëse të klasës ‘A26 Blekinge’ nga prodhuesi suedez Saab, me njësinë e parë që pritet të mbërrijë në vitin 2030.

“Suedia paraqiti ofertën më të mirë sipas ekipit dhe kjo u konfirmua nga Këshilli i Ministrave pas një analize objektive të të gjitha kritereve, si ato që lidhen me afatin e dorëzimit, çmimin, vlerën dhe aftësinë për të operuar veçanërisht në Detin Baltik,” tha Kosiniak-Kamysz, raporton euronews.

Shtatë kompani nga gjashtë vende morën pjesë në tender, përfshirë ‘ThyssenKrupp’ të Gjermanisë, ‘Fincantieri’ të Italisë dhe ‘Naval Group’ të Francës.

Suedia ka premtuar transferim teknologjie dhe investime në industrinë e ndërtimit të anijeve në Poloni, për të siguruar që vendi të jetë në gjendje t’i mirëmbajë dhe t’i riparojë vetë këto mjete lundruese, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Nëndetëset do të jenë në gjendje të zhyten në më shumë se 200 metra thellësi dhe të operojnë në mënyrë autonome për të paktën 30 ditë. Ato do të pajisen me silurë dhe hedhës raketash të aftë për të goditur objektiva bregdetare dhe në brendësi të territorit.

Sigurimi i Detit Baltik është thelbësor për sigurinë ekonomike dhe energjetike të Polonisë.

Tri platforma nafte të ‘Orlen-t’ operojnë në det, ndërsa porti i naftës i Gdanskut furnizon rafineritë në Poloni dhe Gjermani.

Po zhvillohet edhe sektori i energjisë së erës në det të hapur, me fermën e parë me kapacitet 1.14 gigavat që pritet të vihet në funksion në vitin 2026, rreth 23 kilometra larg bregut. Ajo do të furnizojë me energji 1.5 milionë familje dhe do të ulë emetimet e CO₂ me 2.8 milionë tonë në vit.

Terminali i LNG-së në Świnoujście ka një kapacitet mbi 8 miliardë metra kub në vit, ndërsa gazsjellësi ‘Baltic Pipe’ mund të transportojë 10 miliardë metra kub. Sipas analistëve, të dyja këto investime mbulojnë plotësisht nevojat vjetore të Polonisë për gaz.

Në shtratin e Baltikut ndodhen gjithashtu shumë kabllo energjie dhe telekomunikacioni. Polonia operon tri terminale të mëdha kontejnerësh: ‘Baltic Hub’ në Gdansk, ‘BCT dhe GCT’ në Gdynia, si dhe objektet në kompleksin portual ‘Szczecin–Świnoujście’.

Flota Baltike e Rusisë është e vendosur në Baltiysk, në hyrje të lagunës së Visllës, dhe në Gjirin e Finlandës. Ajo përfshin një nëndetëse, një shkatërrues, dy fregata, katër korveta dhe rreth një duzinë anijesh të vogla raketore dhe mjete zbarkimi.

Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO ka ndryshuar ekuilibrin e forcave në rajon. Së bashku me mbështetjen e Polonisë, Gjermanisë dhe Danimarkës, anijet ruse përballen tani me një pozicion strategjik shumë më të vështirë.

Anijet e vendosura në Gjirin e Finlandës janë veçanërisht të cenueshme, pasi kjo hapësirë e ngushtë ujore mund të mbyllet shpejt me mina ose raketa kundër-anijeve në rast konflikti.

Ishujt strategjikë, veçanërisht Gotlandi, janë gjithashtu kyç. Kontrolli i Gotlandit përcakton dominimin në Baltik, gjë që ka shtyrë Suedinë të rrisë praninë e saj ushtarake atje.

“Rusia mban një flotë në Baltik dhe detyra jonë është ta izolojmë atë në porte, në mënyrë që, nëse është e nevojshme, të jetë një objektiv i lehtë për artilerinë. Në rast konflikti, nuk duhet të lejojmë që këto anije të dalin në det,” tha Gromadziński.

Ai rekomandoi zhvendosjen e forcave kryesore të mbrojtjes detare dhe komandës së Polonisë në Świnoujście, në perëndim, jashtë rrezes së kërcënimeve të mundshme nga lindja.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota