Putin kërkon afrimin me Indinë, SHBA ushtron presion
M.M./ RTKlive
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kryeministri indian, Narendra Modi, zhvilluan të premten samitin vjetor Rusi–Indi, me fokus rritjen e bashkëpunimit tregtar dhe ushtarak, ndërsa SHBA po i bën presion Nju Delhit të zvogëlojë varësinë nga Moska.
Në hapje të takimit, Putin falënderoi Modin për angazhimin në përpjekjet për paqe në Ukrainë dhe theksoi se dy vendet po zgjerojnë bashkëpunimin në teknologji, mbrojtje, energji dhe inteligjencë artificiale. Ai e quajti partneritetin ushtarako-teknik me Indinë “shumë të besueshëm”, raporton AP.
Modi kërkoi forcimin e lidhjeve financiare dhe përsëriti se India “qëndron në anën e paqes”. Ai synon përshpejtimin e furnizimeve me sistemet ruse S-400 dhe modernizimin e avionëve luftarakë Su-30MKI.
Samiti vjen ndërsa SHBA dhe BE e nxisin Indinë të rishikojë marrëdhëniet me Moskën, për shkak të luftës në Ukrainë dhe blerjeve të mëdha indiane të naftës ruse. Tregtia dypalëshe arriti 68.7 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe synohet të shkojë në 100 miliardë deri në vitin 2030, megjithëse aktualisht është e njëanshme në favor të Rusisë.
Dy vendet pritet të diskutojnë edhe një marrëveshje mbi migrimin e punëtorëve të kualifikuar indianë në Rusi, si dhe rritjen e eksporteve indiane në farmaci, bujqësi dhe tekstile.























