Përshkallëzohet konflikti Kamboxhia-Tajlandë
M.M./ RTKlive
Presidenti i Senatit të Kamboxhias, Hun Sen, të martën u zotua se vendi i tij do të zhvillojë një luftë të ashpër kundër Tajlandës, ndërsa dita e dytë e luftimeve dhe të përhapura mes dy fqinjëve të Azisë Juglindore detyroi dhjetëra mijëra njerëz të largohen nga zonat kufitare.
Luftimet shpërthyen pas një përleshjeje, në të cilën një ushtar tajlandez u vra të dielën në mbrëmje, pavarësisht një armëpushimi që kishte dhënë fund pesë ditëve të luftimeve në korrik për pretendimet territoriale përgjatë kufirit të tyre, që kishin rezultuar me dhjetëra civilë dhe ushtarakë të vrarë nga të dyja palët, si dhe evakuimin e mbi 100.000 civilëve, raporton AP.
Në një deklaratë të postuar në Facebook dhe Telegram, Hun Sen pretendoi se vendi i tij ishte përmbajtur nga kundërpërgjigja të hënën, por gjatë natës kishte nisur t’i kundërpërgjigjej forcave tajlandeze. Ai shkroi se një strategji e përqendrimit në zonat ku Tajlanda po avanconte do t’i mundësonte Kamboxhias "të dobësonte dhe shkatërronte forcat armike përmes kundërsulmeve”.
Ushtria e Tajlandës tha se forcat kamboxhiane kishin qëlluar artileri mbi një fshat në provincën Sa Kaeo herët të martën në mëngjes, megjithëse goditja nuk shkaktoi viktima. Tajlanda thotë se forcat kamboxhiane kanë qëlluar gjithashtu ndaj trupave të saj të dielën dhe të hënën, teksa secila palë fajëson tjetrën për të shtënat e para.
“Kamboxhia dëshiron paqe, por Kamboxhia është e detyruar të luftojë për t’i mbrojtur kufijtë e saj,” tha Hun Sen, i cili ka qenë kryeministër afatgjatë i Kamboxhias deri në vitin 2023, kur u pasua nga i biri, Hun Manet, por ende shihet gjerësisht si drejtuesi ‘de facto’ i vendit.
Ushtria e Kamboxhias njoftoi të martën se në luftimet e reja janë vrarë shtatë civilë dhe janë plagosur 20 të tjerë. Një zëdhënës i ushtrisë tajlandeze njoftoi të martën se një ushtar ishte vrarë dhe 29 të tjerë ishin plagosur në luftime.
Duke folur në një konferencë për shtyp, kundëradmirali tajlandez, Surasant Kongsiri, tha se marina po forconte pozicionet e saj në Tajlandën lindore afër kufirit me Kamboxhian.
Tajlanda të hënën kreu sulme ajrore përgjatë kufirit, për të cilat tha se ishin veprime mbrojtëse që synonin instalime ushtarake. Surasant tha se operacione të tilla do të vazhdojnë “derisa të ndalen sulmet”.























