SHBA, thirrje Tajlandës dhe Kamboxhias të ndalin luftimet
M.M./ RTKlive
SHBA u ka kërkuar Tajlandës dhe Kamboxhias të “ndalin menjëherë armiqësitë”, pasi përplasjet në kufi hynë në ditën e tretë, ku u vranë të paktën 10 persona dhe zhvendosur qindra mijëra njerëz.
Dy vendet duhet të ndjekin masat për parandalimin e luftimeve të përcaktuara në një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Donald Trump në tetor, tha sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Trump gjithashtu ka thënë se do të “telefonojë” për të ndalur luftimet, të cilat janë përshkallëzimi më serioz që nga korriku, kur përplasjet lanë dhjetëra të vrarë, raporton BBCNews.
Të dyja vendet ia kanë hedhur fajin njëra-tjetrës për rinisjen e luftimeve, të cilat kanë përfshirë sulme ajrore dhe shkëmbime zjarri artilerie.
Bilanci i viktimave pas tre ditësh armiqësish është 10, prej tyre shtatë nga Kamboxhia dhe tre nga Tajlanda. Zyrtarët tajlandezë thanë se evakuuan më shumë se 400.000 njerëz, ndërsa Phnom Penh tha se 100.000 persona në anën kamboxhiane janë strehuar në qendra emergjente.
Ministria e Mbrojtjes e Tajlandës tha të mërkurën se veprimet ushtarake ishin “të kufizuara në shtrirje dhe të përdorura si opsioni i fundit”.
“Paqja duhet të vijë me sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë, pikë,” thuhet në deklaratë.
Kamboxhia nga ana tjetër akuzoi Tajlandën për nisjen e “sulmeve agresive ushtarake” që synuan institucione civile dhe “vende të shenjta kulturore”, përfshirë tempuj historikë përgjatë kufirit të kontestuar.
Po të mërkurën, Kamboxhia njoftoi se po tërhiqej nga Lojërat e Azisë Juglindore, të cilat po mbahen në Tajlandë.
Komiteti Olimpik Kombëtar i Kamboxhias përmendi “shqetësime serioze dhe kërkesa” nga familjet e sportistëve për t’u tërhequr. Ai shtoi se vendimi “nuk është marrë lehtë”.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, i bëri thirrje të dyja palëve të “ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm”, duke theksuar se konflikti ka shkaktuar “viktima të shumta civile, dëme në infrastrukturën civile dhe zhvendosje të komuniteteve në të dyja anët”.
Mosmarrëveshja shekullore e kufirit midis fqinjëve të Azisë Juglindore u përshkallëzua ndjeshëm më 24 korrik me një bombardim me raketa nga Kamboxhia ndaj Tajlandës, i ndjekur nga sulme ajrore tajlandeze.
Kjo shkaktoi pesë ditë luftimesh intensive, të cilat lanë dhjetëra ushtarë dhe civilë të vdekur. Më vonë atë muaj, Bankoku dhe Phnom Phen-i zyrtar ranë dakord për një “armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar” të ndërmjetësuar nga kryeministri malajzias, Anwar Ibrahim, dhe Trump, i cili në atë kohë kërcënoi se do të ndalte negociatat tarifore derisa të pushonin armiqësitë.
Në tetor, Trump pretendoi një arritje historike në përfundimin e konfliktit kufitar pasi të dyja palët nënshkruan një marrëveshje armëpushimi, por tensionet kanë vazhduar të ziejnë.
Dhuna këtë javë është zgjeruar në të paktën gjashtë provinca në verilindje të Tajlandës dhe pesë provinca në veri dhe veriperëndim të Kamboxhias.
Tajlanda dhe Kamboxhia kanë kontestuar sovranitetin territorial përgjatë një kufiri tokësor 800 km për më shumë se një shekull, që nga koha kur kufijtë e tyre u vizatuan pas pushtimit francez të Kamboxhias.
Këtë javë, disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Japoninë, kanë lëshuar paralajmërime për shmangien e udhëtimeve në zonat kufitare për shkak të përshkallëzimit të luftimeve.























