Pas heqjes së sanksioneve, Bjellorusia liron të burgosurit politikë
BKT
Rajoni dhe Bota

Pas heqjes së sanksioneve, Bjellorusia liron të burgosurit politikë

M.M./ RTKlive

Autoritetet bjelloruse të shtunën liruan nga burgu fituesin e Çmimit Nobel për Paqe, Ales Bialiatski, dhe figurën kyçe të opozitës, Maria Kolesnikova.

Lirimi i tyre vjen në një kohë kur presidenti autoritar Alexander Lukashenko po përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me Uashingtonin. Në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, Lukashenko ka falur 123 të burgosur, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Belta. Më herët të shtunën, SHBA njoftoi heqjen e sanksioneve ndaj sektorit të potasit në vend, raporton AP.

Një aleat i ngushtë i Rusisë, Minsku ka qenë prej vitesh i izoluar nga Perëndimi dhe nën sanksione. Lukashenko ka sunduar vendin me 9.5 milionë banorë me dorë të hekurt për më shumë se tri dekada, dhe Bjellorusia është sanksionuar vazhdimisht nga vendet perëndimore, si për shtypjen e të drejtave të njeriut, ashtu edhe për lejimin e përdorimit të territorit të saj nga Moska gjatë pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Që nga korriku i vitit 2024, Bjellorusia ka liruar qindra të burgosur.

I dërguari special i SHBA-së për Bjellorusinë, John Coale, njoftoi heqjen e sanksioneve ndaj potasit (kuripë kaliumi)  pas takimeve me Lukashenkon në Minsk të premten dhe të shtunën.

Duke folur me gazetarët, Coale i përshkroi bisedimet dyditore si “shumë produktive”, raportoi të shtunën agjencia shtetërore Belta. Ai tha se qëllimi i takimeve ishte normalizimi i marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Minskut.

“Po heqim sanksione, po lirojmë të burgosur. Jemi vazhdimisht në komunikim me njëri-tjetrin,” tha ai, sipas Beltës. Ai shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve po kalojnë nga “hapa të vegjël” drejt “hapave më të sigurt”, teksa dialogu po intensifikohet.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota