Stuhi dimërore paralizon udhëtimet ajrore në SHBA
BKT
Rajoni dhe Bota

Stuhi dimërore paralizon udhëtimet ajrore në SHBA

Sh.Ç|RTKlive

Një stuhi e fuqishme dimërore ka shkaktuar kaos në trafikun ajror në Shtetet e Bashkuara, duke detyruar anulimin dhe vonesat e mijëra fluturimeve, pikërisht në një nga periudhat më të ngarkuara të udhëtimeve festive.

Të dhënat nga FlightAware tregojnë se deri të premten në mbrëmje rreth 1.600 fluturime janë anuluar, ndërsa mbi 7.400 të tjera janë vonuar. Goditjen më të madhe e kanë ndjerë aeroportet kryesore të New Yorkut, përfshirë JFK, Newark Liberty dhe LaGuardia.

Situata problematike është shtrirë edhe në qytete të tjera si Bostoni, Çikago dhe Toronto në Kanada. Ndër kompanitë ajrore më të prekura janë JetBlue dhe Delta Air Lines, të cilat kanë anuluar qindra fluturime. Edhe Southwest, Republic Airways, American Airlines dhe United Airlines kanë raportuar anulime të shumta.

Autoritetet aeroportuale u kanë bërë apel udhëtarëve që të informohen paraprakisht për statusin e fluturimeve përmes kompanive ajrore, përpara se të nisen drejt aeroporteve.

Ndërkohë, guvernatorja e New Yorkut, Kathy Hochul, ka këshilluar qytetarët të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme. Ajo u ka bërë thirrje atyre që duhet të udhëtojnë të tregojnë kujdes maksimal, të planifikojnë mirë lëvizjet dhe të lënë kohë shtesë për të arritur në destinacion.

Paralajmërime të ngjashme janë dhënë edhe nga autoritetet e New Jersey dhe Connecticut.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota