Aleatët e Ukrainës diskutojnë në Paris për sigurinë në rast armëpushimi
BKT
Rajoni dhe Bota

Aleatët e Ukrainës diskutojnë në Paris për sigurinë në rast armëpushimi

Luan Qorraj /RTK

Udhëheqësit e dhjetëra vendeve aleate të Ukrainës janë mbledhur në Paris për të diskutuar garancitë e sigurisë që do t’i ofrohen Kievit në rast të arritjes së një armëpushimi me Rusinë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka pritur presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si dhe udhëheqës dhe përfaqësues të më shumë se 20 shteteve aleate të Ukrainës, përfshirë edhe përfaqësues të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë takimit, palët po synojnë të arrijnë një konsensus rreth detajeve të garancive të sigurisë që do t’i jepen Ukrainës në rast të ndonjë armëpushimi me Rusinë. Diskutimet janë fokusuar në mënyrat se si vendet aleate mund të mbështesin Kievin për të parandaluar një përshkallëzim të ri të konfliktit.

Edhe pse detajet e marrëveshjes përfundimtare ende nuk janë bërë publike, më herët është bërë e ditur se drafti që po diskutohet në Paris parasheh zotime nga shtete të ndryshme për të mbështetur Ukrainën në rast të një konflikti të ardhshëm me Rusinë. Po ashtu, dokumenti përfshin mundësinë që vendet aleate të marrin pjesë në një mision paqeruajtës, i cili mund të organizohet pas arritjes së një armëpushimi.

Nga ana tjetër, Moska ende nuk ka komentuar zyrtarisht lidhur me planin që po diskutohet në Paris apo me propozimin e fundit për një marrëveshje paqeje. Megjithatë, zyrtarë të ndryshëm nga Kremlini kanë deklaruar për media se Rusia vazhdon të qëndrojë prapa kërkesave të saj për koncesione territoriale, kërkesa këto që Ukraina ka bërë të ditur se nuk është e gatshme t’i pranojë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota