Protestat në Iran vazhdojnë, tensione dhe përplasje në disa qytete
RTKLive
Protestuesit në Iran kanë sfiduar represionin e forcave të sigurisë, duke dalë sërish në rrugë të shtunën mbrëma, pavarësisht raportimeve se qindra persona janë vrarë ose plagosur gjatë tri ditëve të fundit.
Pamje video të verifikuara nga BBC dhe dëshmi të dëshmitarëve okularë tregojnë se autoritetet iraniane kanë ashpërsuar ndjeshëm reagimin ndaj protestave. Prokurori i Përgjithshëm i Iranit ka deklaruar se çdo person që merr pjesë në protesta do të konsiderohet “armik i Zotit”, një vepër penale që sipas ligjit iranian dënohet me vdekje.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA-ja do ta godasë Iranin “shumë ashpër” nëse autoritetet “fillojnë të vrasin njerëz”. Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit iranian ka paralajmëruar se në rast të një sulmi amerikan ndaj Iranit, Izraeli dhe bazat ushtarake amerikane në rajon do të jenë objektiva legjitime.
Protestat nisën si pasojë e inflacionit të lartë dhe janë përhapur në mbi 100 qytete dhe qyteza në të gjitha provincat e Iranit. Së fundmi, protestuesit po kërkojnë fundin e sundimit klerikal të udhëhequr nga Lideri Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili demonstruesit i ka quajtur “vandalë” që, sipas tij, synojnë të “kënaqin” presidentin amerikan.
Sipas burimeve të BBC-së dhe organizatës “Human Rights Activists in Iran” (HRANA), mbi 100 persona, përfshirë edhe pjesëtarë të forcave të sigurisë, janë vrarë deri më tani. Spitalet në disa qytete raportojnë se janë mbingarkuar me të plagosur dhe viktima, ndërsa vetëm në një spital në qytetin Rasht janë verifikuar rreth 70 trupa gjatë një nate.
Shefi i Policisë iraniane ka deklaruar në televizionin shtetëror se është rritur niveli i përballjes me protestuesit, duke njoftuar për arrestimin e mbi 2.500 personave që nga nisja e protestave më 28 dhjetor.
Raportimi nga terreni mbetet i vështirë, pasi autoritetet iraniane kanë vendosur bllokim pothuajse të plotë të internetit. BBC dhe media të tjera ndërkombëtare nuk kanë mundësi të raportojnë drejtpërdrejt nga Irani, megjithatë disa pamje video nga qytete si Mashhad dhe Teheran tregojnë përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.























