Presidentja e Moldavisë, thotë se do të votonte për bashkim me Rumaninë
A.Bela|RTKlive
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, ka deklaruar se do të votonte në favor të bashkimit me Rumaninë fqinje, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, nëse do të zhvillohej një referendum, për të ndihmuar në mbrojtjen e demokracisë së brishtë të vendit nga presioni rus.
Sandu, partia pro-BE e së cilës fitoi një mandat të ri në zgjedhjet e shtatorit të kaluar, e ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për ndërhyrje në Moldavi, një ish-republikë sovjetike me rreth 2.4 milionë banorë, me shumicë rumunishtfolëse dhe një pakicë rusishtfolëse.
“Nëse do të kishim një referendum, unë do të votoja për bashkimin me Rumaninë,” tha ajo në një intervistë për podcastin britanik The Rest is Politics, të transmetuar të dielën.
“Shikoni çfarë po ndodh në botë. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për një vend të vogël si Moldavia të mbijetojë si demokraci, si shtet sovran dhe, sigurisht, t’i rezistojë Rusisë.”
Rreth 1.5 milionë moldavë kanë shtetësi rumune, por sondazhet e fundit kanë treguar se vetëm rreth një e treta e popullsisë mbështet ribashkimin me Bukureshtin.
Sandu tha se e pranon që shumica e moldavëve nuk e mbështesin qëndrimin e saj, duke shtuar se integrimi në BE është një “objektiv më realist”.
Qeveria e saj ka vendosur si synim anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, por do të duhet të zbatojë reforma të vështira përballë kundërshtimit nga Rusia. Socialistët pro-rusë të Moldavisë ishin në pushtet deri në vitin 2020.
Moldavia, e cila kufizohet edhe me Ukrainën, ishte pjesë e Rumanisë në periudhën midis dy luftërave botërore, por u aneksua nga Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo fitoi pavarësinë në vitin 1991, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, raporton Reuters.























