Danimarka siguron se Grenlanda mbrohet nga Neni 5 i NATO-s
Bardhyl Bajrami / RTK
Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë mes ministres së Punëve të Jashtme të Grenlandës, Vivian Motzfeldt, dhe ministrit danez të Punëve të Jashtme, Lars Lokke Rasmussen, me sekretarin amerikan të shtetit Marco Rubio dhe zv/Presidentin JD Vance, ministrat mbajtën një konferencë për shtyp.
Sekretari danez përshkroi takimin si të hapur dhe konstruktiv, duke përsëritur se blerja e ishullit më të madh në botë nga Shtetet e Bashkuara nuk është e nevojshme. Sipas Rasmussen, Trump qartë dëshiron të rrisë ndikimin në Grenlandë, por takimi ka ndryshuar qëndrimin amerikan.
Ai njoftoi formimin e një grupi punues mes vendeve, i cili do të diskutojë mënyrën e mëtejshme të bashkëpunimit dhe pritet të takohet javët në vijim.
Rasmussen theksoi gjithashtu se Danimarka është e gatshme të rrisë kontributet për sigurinë në Grenlandë dhe hodhi poshtë pretendimet e SHBA-së se ishulli është nën kërcënim nga Kina apo Rusia.
Dy ministrat njoftuan se Danimarka dhe Grenlanda janë të gatshme të shqyrtojnë disa nga shqetësimet e presidentit Trump, por ekzistojnë linja të kuqe për të cilat nuk do të bëjnë kompromis.
Ministrja e Jashtme e Grenlandës, Vivian Motzfeldt, tha se Grenlanda dëshiron të forcojë bashkëpunimin me SHBA si aleat, por kjo nuk nënkupton nënshtrim ose zotërim nga Shtetet e Bashkuara.
Rasmussen theksoi se Grenlanda, përmes Danimarkës, është anëtare e NATO-s dhe mbrohet sipas Nenit 5, i cili garanton mbrojtje kolektive në rast sulmi ndaj një vendi të aleancës.
E presidenti amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, me rastin e nënshkrimit të disa dokumenteve, i pyetur nga gazetarët ka komentuar çështjen rreth Grenlandës. Grenlanda është shumë e rëndësishme për sigurinë kombëtare të vendit. Danimarka nuk mund të bën gjë nëse Rusia apo Kina duan ta okupojnë Grenlandën por ne mund të bëjmë gjithçka. Nuk mund të mbështetem tek Danimarka nëse do të jetë në gjendje të mbrohet, tha presidenti amerikan Donald Trump.
Kurse lajmi i fundit ka të bëjë me protestat antiqeveriutare në Iran, atje ku mësohet se vrasjet e protestuesve janë ndalur.
Presidenti amerikan Donald Trump, nga zyra ovale, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të disa dokumenteve ka deklaruar se Irani ka hequr dorë nga ekzekutimi i një protestuesi që ishte ndaluar pas iu ishte bashkuar demonstratave antiqeveritare. “Vrasjet në Iran janë ndaluar. Ekzekutimet janë ndalur”, ka thënë presidenti Trump.























