Pahlavi: Republika Islamike do të bie por çështja është kur
Bardhyl Bajrami / RTK
I biri i shahut apo mbretit të fundit të Iranit i ka kërkuar nga mbarë bota që t’iu ndihmojnë protestuesve në Iran që ta rrëzojnë qeverinë e vendit.
Reza Pahlavi ka thënë se ai është i bindur se Republika Islamike do të bie dhe nuk është çështje se a do të bie por kur.
Protestat masive kundër qeverisë iraniane, që filluan në fund të dhjetorit 2025 për shkak të krizës ekonomike dhe rënies drastike të monedhës, vazhdojnë të përhapën në qytete të shumta të vendit, pavarësisht përpjekjeve të regjimit për t’i shtypur me forcë. Sipas monitoruesve ndërkombëtarë, demostrimet kanë përfshirë dhjetëra qytete dhe kanë rezultuar në dhunë të shfrenuar nga forcat e sigurisë.
Një bllokim pothuajse total i internetit është vendosur që nga fillimi i janarit, me qëllim të kufizimit të qasjes në informacion dhe koordinimit të protestave, duke e bërë komunikimin mjaft të vështirë brenda dhe jashtë vendit.
Qeveria iraniane është përpjekur të mohojë disa nga akuzat që janë qarkulluar në mediat ndërkombëtare “për shembull për planet për ekzekutimin e protestuesve të arrestuar” duke argumentuar se disa raste janë keqinterpretuar dhe se personat përballen me akuza të tjera.
Në medie të ndryshme raportohet edhe për numra të ndryshëm të viktimave nga dhuna e autoriteteve ndërsa në të shumtën e rasteve kjo shifër tejkalon numrin 2500.























