BE ndalon eksportet e teknologjisë për dronë dhe raketa drejt Iranit
Blerim Halimi|RTKlive
Bashkimi Evropian ka propozuar të martën ndalimin e eksportit shtesë të teknologjive kritike për dronë dhe raketa drejt Iranit, si reagim ndaj shtypjes së protestave masive në vend, njoftojnë agjencitë ndërkombëtare.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja po përgatit edhe sanksione të tjera ndaj personave përgjegjës për shtypjen “e vazhdueshme dhe brutale” të protestave që kanë tronditur Republikën Islamike.
Von der Leyen theksoi se Evropa qëndron në solidaritet të plotë me qytetarët iranianë që kërkojnë liri, duke nënvizuar rëndësinë e kufizimit të teknologjive që mund të shfrytëzohen për qëllime ushtarake.
Propozimi vjen ndërsa protestat, të cilat janë konsideruar si sfida më e madhe për udhëheqjen iraniane në vitet e fundit, vazhdojnë, dhe raportet e organizatave për të drejtat e njeriut flasin për mijëra civilë të vrarë dhe arrestime të shumta pavarësisht presionit ndërkombëtar.
BE-ja tashmë ka vendosur sanksione ndaj qindra zyrtarëve iranianë në lidhje me goditjet ndaj protestave të mëparshme dhe për mbështetjen e Teheranit në konflikte të tjera, përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë. Blloku gjithashtu ka ndaluar eksportin e komponentëve që mund të përdoren për prodhimin e dronëve dhe raketave në Iran.























