Papa Leo ftohet të bëhet pjesë e `Bordit të Paqes` të Trumpit
BKT
Rajoni dhe Bota

Papa Leo ftohet të bëhet pjesë e `Bordit të Paqes` të Trumpit

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Papa Leo është në mesin e liderëve botërorë që janë ftuar të bashkohen me “Bordin e Paqes” të presidentit amerikan Donald Trump, ka bërë të ditur të mërkurën Kardinali Pietro Parolin, zyrtari më i lartë diplomatik i Vatikanit.

Papa Leo, papa i parë amerikan dhe kritik i disa prej politikave të Trumpit, është duke e shqyrtuar ftesën, tha Parolin, raporton Reuters.

“Papa ka pranuar një ftesë dhe ne po e shqyrtojmë se çfarë të bëjmë,” u tha Parolin gazetarëve. “Besoj se kjo do të jetë diçka që kërkon pak kohë për shqyrtim para se të jepet një përgjigje.”

Bordi fillimisht kishte për qëllim përfundimin e konfliktit në Gaza, megjithatë Trump ka deklaruar se ai do të ketë një mandat shumë më të gjerë dhe do të synojë zgjidhjen e konflikteve në nivel global.

Ndërsa disa shtete, si Izraeli dhe Egjipti, e kanë pranuar ftesën, një numër vendesh të tjera kanë shprehur kujdes, me diplomatë që paralajmërojnë se kjo mund të dëmtojë punën e Kombeve të Bashkuara.

Zyra për shtyp e Vatikanit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment lidhur me deklaratat e Parolinit.

Papa Leo, i cili që nga zgjedhja e tij si papë në majin e kaluar ka shfaqur një stil diplomatik të fuqishëm, por të qetë, ka dënuar disa herë kushtet e palestinezëve që jetojnë në Gaza, përfshirë edhe në një predikim të fortë në natën e Krishtlindjes.

Papa, udhëheqësi i 1.4 miliardë katolikëve në botë, rrallëherë i bashkohet bordeve ndërkombëtare. Vatikani ka një shërbim diplomatik të gjerë dhe është vëzhgues i përhershëm në Kombet e Bashkuara, duke marrë shpesh pjesë në debate ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota