Trump heq dorë nga kërcënimi për vendosjen e tarifave
Bardhyl Bajrami|RTK
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili po qëndron në Davos të Zvicrës ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror, ka njoftuar se po heq dorë nga planet për aplikimin e tarifave ndaj tetë vendeve evropiane, pas kundërshtimit të tyre ndaj qasjes së tij për Groenlandën. Vendimi u bë i ditur pas takimit që Trump zhvilloi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Pas këtij takimi, presidenti amerikan shkroi në rrjetet sociale se tashmë janë hedhur bazat për një marrëveshje të ardhshme lidhur me Groenlandën, pa dhënë detaje konkrete për përmbajtjen e saj.
Më herët, Trump kishte përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për marrjen e Groenlandës, por kishte theksuar se kërkon nisjen e menjëhershme të negociatave për këtë territor autonom danez. Në postimin e tij, ai përmendi gjithashtu projektin e mbrojtjes ajrore të njohur si “Mburoja e Artë”, për të cilin tha se do të zhvillohen bisedime shtesë dhe se sistemi do të synojë mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.
Pas deklaratave të presidentit Trump ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen. Ai tha se dita përfundoi shumë më mirë sesa kishte nisur, por theksoi qartë se “nuk do të ndodhë që Shtetet e Bashkuara ta zotërojnë Groenlandën”. Në një intervistë për transmetuesin publik danez, Rasmussen nënvizoi se kjo mbetet një “vijë e kuqe” për Kopenhagën.
Zhvillimet e sotme janë karakterizuar nga tensione diplomatike dhe diskutime intensive rreth sigurisë globale, tregtisë dhe sovranitetit territorial. Në fokus kanë qenë marrëdhëniet transatlantike, situata në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, si dhe çështja e Groenlandës, pas deklaratave dhe veprimeve të presidentit amerikan Donald Trump.
Udhëheqës evropianë kanë theksuar nevojën për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe stabilitetit strategjik, ndërsa përfaqësues të NATO-s kanë bërë thirrje për unitet mes aleatëve. Debatet mbi tarifat tregtare dhe ndikimin e tyre në ekonominë globale kanë dominuar sesionet ekonomike, ndërkohë që tregjet financiare kanë reaguar me luhatje të ndjeshme.
Davos 2026 po shfaqet kështu si një forum ku përplasjet politike dhe ekonomike po zënë vend qendror, duke reflektuar pasiguritë dhe rivalitetet që po formësojnë rendin e ri global.
Forumi Ekonomik Botëror i mbyll punimet më 23 janar.























