Dialogu për Ukrainën vazhdon, Shtëpia e Bardhë: Trump i angazhuar
BKT
Rajoni dhe Bota

Dialogu për Ukrainën vazhdon, Shtëpia e Bardhë: Trump i angazhuar

Sh.Çoçaj|RTKlive

Lufta në Ukrainë po hyn në një fazë të re përshkallëzimi, ndërsa Presidenti Volodymyr Zelensky kërkon rritje të presionit ushtarak ndaj Rusisë dhe konfirmon vazhdimin e bisedimeve trepalëshe për paqe, në një kohë kur situata në terren dhe kriza energjetike mbeten të tensionuara.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se forcat mbrojtëse të Ukrainës duhet t’i shkaktojnë ushtrisë ruse humbje të tilla që Moska të mos jetë në gjendje t’i kompensojë, duke përmendur si objektiv rreth 50,000 trupa ruse në muaj. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohet rindërtimi i kapaciteteve ushtarake ruse.

Në të njëjtën kohë, Zelensky konfirmoi se këtë javë pritet të mbahet një tjetër raund bisedimesh trepalëshe mes Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Edhe Kremlini bëri të ditur se puna në nivel ekspertësh brenda grupit negociues Rusi–SHBA–Ukrainë do të vazhdojë gjatë gjithë javës.

Shtëpia e Bardhë theksoi se presidenti amerikan Donald Trump mbetet i përfshirë në procesin e paqes dhe nuk ka hequr dorë nga përpjekjet diplomatike.

Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse, Valery Gerasimov, deklaroi se ushtria ruse po zhvillon ofensivë në të gjitha frontet në Ukrainë. Sipas tij, që nga fillimi i janarit, forcat ruse kanë marrë kontrollin e 17 vendbanimeve dhe mbi 500 kilometra katrorë territor ukrainas.

Paralelisht me zhvillimet ushtarake, Ukraina po përballet me vështirësi serioze energjetike. Zelensky njoftoi se situata në Kiev është jashtëzakonisht e rëndë, veçanërisht në bregun e majtë të lumit Dnieper, ku mbi 1,200 ndërtesa banimi kanë mbetur pa ngrohje. Për shkak të sulmeve ruse, termocentrali i Khersonit ka ndërprerë funksionimin, duke lënë dhjetëra mijëra qytetarë pa energji termike.

Nga ana e tij, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusisë po i kërkohet të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase, ndërkohë që, sipas tij, edhe territori rus vazhdon të jetë objekt i sulmeve nga forcat ukrainase, raportojnë mediat e huaja.

Në planin ndërkombëtar, vendet e Bashkimit Evropian kanë dhënë miratimin përfundimtar për planin që parashikon ndalimin e importeve të gazit rus deri më 1 janar 2027, duke shënuar një tjetër hap drejt shkëputjes energjetike nga Moska.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota