Trump: Irani dëshiron marrëveshje për të shmangur veprimet ushtarake
Flutura Bekqeli / RTK
Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje amerikane, pavarësisht këmbënguljes së Teheranit se sistemet e tij të raketave dhe mbrojtjes “nuk do të jenë kurrë” pjesë e negociatave.
“Mund ta them këtë: ata duan të bëjnë një marrëveshje”, u shpreh Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të premten, kur u pyet për grumbullimin e forcave amerikane në Gjirin Persik, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ai paralajmëroi Teheranin se koha për të negociuar një marrëveshje mbi programin bërthamor po mbaronte, ndërsa një flotë e madhe detare amerikane ishte pozicionuar pranë Iranit.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se nuk kishte bisedime të planifikuara me SHBA-në aktualisht, por se Teherani ishte i hapur për negociata të bazuara në “respekt të ndërsjellë” dhe besim. Irani përsëriti se programi i tij bërthamor është plotësisht paqësor dhe mohoi vazhdimisht akuzat e SHBA-ve dhe aleatëve se po kërkon të zhvillojë armë bërthamore.
Araghchi po ashtu deklaroi se sistemet e mbrojtjes nga raketat “nuk do të jenë kurrë” në tryezën e negociatave, duke përsëritur qëndrimin e qeverisë iraniane për paqësinë e programit bërthamor.
Paralajmërimi i Trump për një marrëveshje bërthamore erdhi pas premtimit të tij se Uashingtoni do të ndërhynte për të ndihmuar ata që ishin përfshirë në shtypjen brutale të protestave në vend në fillim të këtij muaji. Trump theksoi se Iranit duhej t’i përmbushte dy kushte për të shmangur veprimet ushtarake: së pari, të mos zhvillonte armë bërthamore dhe, së dyti, të ndalonte vrasjet e protestuesve.
Agjencia e Lajmeve e Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut me seli në SHBA ka konfirmuar vrasjen e më shumë se 6,300 personave, përfshirë mbi 5,900 protestues, që nga fillimi i trazirave në fund të dhjetorit. Ajo po ashtu po heton 17,000 vdekje të raportuara, pavarësisht bllokimit të internetit për gati tre javë.























