Qytetarët e Shkupit protestojnë në mbrojtje të shëndetit dhe mjedisit
BKT
Rajoni dhe Bota

Qytetarët e Shkupit protestojnë në mbrojtje të shëndetit dhe mjedisit

ATSH

Qytetarët e Shkupit kanë dalë në rrugë në një marshim të organizuar nga iniciativa qytetare ”Stop për Çimentoren Usje”, duke kërkuar mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit nga ndotja e ajrit.

Marshimi filloi para godinës së qeverisë e më pas  pjesëmarrësit vazhduan drejt parlamentit dhe përfunduan protestën në mënyrë paqësore para Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ku përsëritën kërkesat e tyre për veprime urgjente dhe kontroll më të madh mbi ndotësit.

Me mesazhe të tilla ”Fitim për ta, sëmundje për ne”, ”Ne thithim helm” dhe ”Ajri nuk është luks, është e drejtë”, pjesëmarrësit thanë se interesat ekonomike nuk duhet të jenë më të rëndësishme se shëndeti i njerëzve.

 “Institucionet e kanë për detyrë të veprojnë në interes të qytetarëve dhe se çështjet që lidhen me ndotjen dhe mbrojtjen e shëndetit publik kërkojnë masa urgjente dhe specifike”, tha Aleksandar Todeski, një aktivist nga iniciativa ”Stop për Çimentoren Usje”.

”Protestat do të vazhdojnë. Është e rëndësishme që qytetarët të dalin në protestë dhe ky numër i qytetarëve është dëshmi e mjaftueshme se duhet tashmë të trajtohen gjërat që të gjithë të thithim ajër të pastër”, shtoi Todeski.

Qyteti i Shkupit ka miratuar një iniciativë për dislokimin e fabrikës jashtë zonave urbane, por kompania mohon se është shkaktar i ndotjes, duke theksuar se emetimet janë nën vlerat ligjore dhe monitorohen vazhdimisht.

Shkupi vazhdon të mbetet me ajër shumë të ndotur, shpesh duke u renditur mes qyteteve me ajrin më të ndotur në botë.

Fabrika e çimentos “Usje”, e cila ndodhet në periferi të kryeqytetit, është një nga kompanitë kryesore të prodhimit të çimentos dhe materialeve të ndërtimit për tregun vendas dhe atë rajonal.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota