Starmer i bën thirrje Andrew-t të dëshmojë në SHBA për lidhjet me Epstein
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Kryeministri britanik Keir Starmer ka kërkuar që ish-princi Andrew Mountbatten-Windsor të dëshmojë para Kongresit amerikan për lidhjet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, i dënuar për abuzim seksual me të mitur.
Andrew Mountbatten-Windsor, të cilit iu hoqën titujt mbretërorë vitin e kaluar, përfaqësohet gjerësisht në dokumentet e reja të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Në dosje përfshihen fotografi ku ai shihet duke u përkulur mbi një grua që shtrihet në dysheme, si dhe email-e që tregojnë se ai e kishte ftuar Epstein-in në Pallatin Buckingham në shtator 2010, dy vjet pasi ky i fundit ishte dënuar për rekrutimin e vajzave deri në 14 vjeç për seks.
Starmer, i cili ndodhet në Japoni për takim me kryeministren Sanae Takaichi, u pyet nga gazetarët nëse Andrew duhet t’u kërkojë falje viktimave dhe të japë dëshmi. Ai deklaroi se prioritet duhet të jenë viktimat dhe se kushdo që ka informacion duhet ta ndajë atë.
Në dokumente thuhet se Epstein kishte ofruar të organizonte një takim me një grua ruse 26-vjeçare për Andrew-n, dhe se ky i fundit ishte shprehur i kënaqur ta takonte. Ai gjithashtu e kishte pyetur Epstein-in nëse ishte “mirë të isha i lirë” nga arresti shtëpiak.
Andrew dhe Epstein u fotografuan së bashku në Central Park në Nju Jork. Në intervistën e vitit 2019 për Newsnight, Andrew kishte deklaruar se kishte shkuar në SHBA për t’i dhënë fund miqësisë me Epstein-in.
Email-et e reja tregojnë se në të njëjtin udhëtim ishte organizuar një darkë në shtëpinë e Epstein-it, ku ishin të ftuar Woody Allen dhe George Stephanopoulos.
Dokumentet tregojnë se Andrew vazhdonte t’i dërgonte Epstein-it fotografi familjare që përfshinin vajzat e tij, Princeshën Beatrice dhe Princeshën Eugenie.
Në vitin 2022, Andrew pagoi rreth 12 milionë paund si marrëveshje me Virginia Giuffre, e cila pretendonte se ishte trafikuar nga Epstein dhe Ghislaine Maxwell. Pagesa u bë pa pranuar fajësi dhe Andrew ka mohuar çdo shkelje.
Dosjet përfshijnë edhe email-e mes Andrew dhe Ghislaine Maxwell, e cila po vuan një dënim 20-vjeçar në SHBA për trafikim fëmijësh. Në një email të vitit 2005, Andrew i shkruante: “Jam në duart e tua (fjalë për fjalë) deri të shtunën/të dielën”, duke e mbyllur me “Të dua A xxx”.
Dokumentet zbulojnë gjithashtu se Epstein kishte dërguar 10,000 paund bashkëshortit të Peter Mandelson për të financuar një kurs osteopatie dhe se Mandelson kishte kërkuar të qëndronte në një nga pronat e Epstein-it.
Në dosje përmendet edhe Richard Branson, i cili kishte këshilluar Epstein-in për rikthimin e reputacionit të tij pas dënimit të vitit 2008. Virgin Group deklaroi se kontaktet ishin të kufizuara dhe se pas zbulimit të akuzave serioze, nuk kishte më asnjë kontakt me Epstein-in.
Epstein vdiq në vitin 2019 në një burg në Nju Jork, ndërsa priste gjykim për akuza të reja për abuzim seksual ndaj të miturve./ Burimi: The Guardian























