Hamas refuzojnë çarmatosjen
BKT
Rajoni dhe Bota

Hamas refuzojnë çarmatosjen

Luan Qorraj /RTK

Udhëheqësia e Hamasit ka ngritur shqetësime për zbatimin e planit të armëpushimit me Izraelin, duke deklaruar se Hamasi dhe grupet e tjera militante në Gazë nuk do të çarmatosen, ndonëse ky është një nga kushtet e marrëveshjes së armëpushimit, të cilën Hamasi e kishte pranuar dhe ishte zotuar ta zbatonte në tërësi.

Mediume dhe diplomatë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë shprehur brenga lidhur me procesin e armëpushimit në Rripin e Gazës, pasi udhëheqësia e Hamasit deklaroi se nuk do t’i përmbahet njërit prej kushteve të marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Udhëheqësi politik i Hamasit, Khaled Meshaal, gjatë një forumi në Doha të Katarit, tha se lëvizja e tij, si dhe grupet e tjera palestineze në Gazë, nuk do t’i dorëzojnë armët e tyre, pasi sipas tij kjo do ta linte popullin e Gazës të pambrojtur. Deklarata të ngjashme janë dhënë edhe nga përfaqësues të tjerë të Hamasit gjatë ditëve të fundit.

Edhe pse Izraeli zyrtar ende nuk ka reaguar ndaj këtyre deklaratave, diplomatë dhe ekspertë të ndryshëm kanë theksuar se mosrespektimi i kushteve që fillimisht janë pranuar mund të ketë pasoja të rënda.

Sipas marrëveshjes së pranuar nga të dyja palët, zbatimi i planit për paqe afatgjatë do të duhej të zhvillohej në disa faza. Faza e parë përfshinte ndalimin e luftimeve, hapjen e kufijve për ndihma humanitare, si dhe këmbimin e pengjeve izraelite me të burgosurit palestinezë. Kjo fazë përfundoi para pak ditësh dhe tani pritet fillimi i fazës së dytë, e cila, ndër të tjera, parasheh tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Rripi i Gazës, si dhe çarmatosjen dhe demilitarizimin e Hamasit dhe grupeve të tjera militante.

Refuzimi i Hamasit për t’u çarmatosur po e rrezikon vazhdimësinë e tërë procesit, përfshirë edhe vendosjen e paqeruajtësve ndërkombëtarë në Gazë. Sipas Hamasit, një veprim i tillë do të rrezikonte jetën e civilëve palestinezë, ndërsa kritikët e Hamasit dhe shumë diplomatë ndërkombëtarë thonë se rreziku më i madh për palestinezët vjen nga refuzimi publik i kushteve të marrëveshjes së paqes, të cilën Hamasi fillimisht e pranoi. Sipas tyre, kjo do t’i japë Izraelit arsye për të vazhduar dhunën dhe do ta dëmtojë rëndë pozitën e palestinezëve në çfarëdo negociate të ardhshme.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota