Në Gjenevë ka nisur rundi i tretë i bisedimeve mes Rusisë e Ukrainës
BKT
Rajoni dhe Bota

Në Gjenevë ka nisur rundi i tretë i bisedimeve mes Rusisë e Ukrainës

Bardhyl Bajrami / RTK

Në Gjenevë të Zvicrës ka nisur raundi i tretë i bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, një javë para përvjetorit të katërt të fillimit të invazionit të përgjithshëm rus në Ukrainë.

Delegacioni ukrainas udhëhiqet nga sekretari i Këshillit të Sigurisë Rustem Umerov dhe shefi i kabinetit presidencial Kyrylo Budanov.

Nga ana ruse marrin pjesë ndihmësi i presidentit Vladimir Putin, Vladimir Medinsky, dhe përfaqësues të inteligjencës ushtarake. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se nuk priten rezultate të menjëhershme dhe se bisedimet do të vazhdojnë.

Ndërkohë që Rusia ka vazhduar sulmet masive në Ukrainë, të cilat kryesisht po kryhen gjatë natës dhe në shënjestër kanë sistemin energjetik të vendit.

Disa orë para nisjes së bisedimeve, Rusia ka ndërmarrë një sulm të madh të kombinuar në 12 regjione me 400 dron dhe 30 raketa nga të cilat pranë qytetit Slovyansk u vranë tre punonjës energjie, ndërsa në mbarë vendin u plagosën nëntë persona.

Ukraina kreu gjithashtu sulme me dronë në Rusi: një zjarr shpërtheu në rafinerinë Ilsky në rajonin Krasnodar, ndërsa rajoni kufitar Belgorod pësoi dëme në infrastrukturën energjetike.

Bisedimet e sotme pasojnë takimin trepalësh të muajit të kaluar në Abu Dhabi, të parin mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së që nga pushtimi i plotë rus i vitit 2022, i cili nuk prodhoi përparim konkret.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota