Rusia sulmon Ukrainën, në shënjestër infrastruktura energjetike
BKT
Rajoni dhe Bota

Rusia sulmon Ukrainën, në shënjestër infrastruktura energjetike

Flutura Bekqeli /RTK

Rusia ka sulmuar Ukraina me dhjetëra dronë dhe raketa balistike gjatë natës, duke goditur kryesisht infrastrukturën energjetike dhe duke shkaktuar të paktën një viktimë, njoftuan zyrtarët ushtarakë dhe autoritetet lokale ukrainase.

Sulmet kanë prekur Kievin dhe rajonin përreth kryeqytetit, portin e Odesës në Detin e Zi, si dhe zona të Ukrainës qendrore. Presidenti Volodymyr Zelenskyy deklaroi në platformën X se në shënjestër ishin edhe rajonet Dnipro, Kirovohrad, Mykolaiv, Poltava dhe Sumy.

Sipas tij, objektivi kryesor ishte sektori energjetik, ndërsa janë dëmtuar edhe ndërtesa banimi dhe infrastruktura hekurudhore.

“Moska vazhdon të investojë në sulme më shumë sesa në diplomaci,” tha Zelenskyy, duke shtuar se vetëm këtë javë Rusia ka lëshuar mbi 1,300 dronë, më shumë se 1,400 bomba ajrore të drejtuara dhe 96 raketa kundër Ukrainës.

Nga ana tjetër, nuk ka pasur koment të menjëhershëm nga Moska.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përpjekur të ndërmjetësojnë një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, por përparimi ka ngecur. Rusia kërkon që Ukraina të tërhiqet nga pjesë të rajonit lindor të Donbasit që ende kontrollon, një propozim që Kievi e ka hedhur poshtë.

Bisedimet e fundit, të mbajtura në Gjenevë më 17 dhe 18 shkurt, nuk sollën ndonjë përparim konkret.

Forca Ajrore ukrainase njoftoi se Rusia lëshoi 50 raketa dhe 297 dronë gjatë sulmeve të natës, ndërsa njësitë e mbrojtjes ajrore arritën të rrëzojnë ose neutralizojnë 33 raketa dhe 274 dronë.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, deklaroi në X se “ky terror nuk mund të normalizohet”, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të vendosë sanksione më të ashpra ndaj Kremlinit.

Rusia ka sulmuar sistemin energjetik ukrainas pothuajse çdo ditë, duke goditur termocentrale, nënstacione elektrike dhe sektorin e gazit. Moska mohon se ka në shënjestër civilët, por pretendon se infrastruktura civile është objektiv legjitim ushtarak, pasi sipas saj, goditja e saj dobëson aftësinë e Kievit për të zhvilluar luftë. Autoritetet ukrainase kundërshtojnë këtë pretendim, duke theksuar se qëllimi i sulmeve është dëmtimi i civilëve dhe thyerja e vullnetit të vendit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota