Ekspozitë mbi shkatërrimin e objekteve fetare e kulturore në Ukrainë|Video
Anamari Repiq|RTK
Katër vite nga agresioni rus në Ukrainë, Qindra mijëra viktima dhe objekte fetare e kulturore të shkatërruara janë pasojat e katër viteve agresion rus, deklaroi ambasadori ukrainas Oleksandr Litvinenko, duke e cilësuar këtë si dhunën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Shpresoj që paqja të vijë sa më shpejt dhe siguria të rikthehet në Ukrainë dhe Evropë. Udhëheqja ruse jo vetëm vret njerëz, por shkatërron edhe qindra objekte fetare në Ukrainë”, tha ambasadori ukrainas.
Ambasadori ukrainas dhe shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi hapën ekspozitën që paraqet shkatërrimin e mbi 500 objekteve fetare dhe kulturore, duke theksuar se agresioni rus synon edhe trashëgiminë.
Andreas von Beckerath deklaroi se viti 2026 duhet të shënojë përfundimin e agresionit dhe se BE-ja do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën. Ai ka dërguar mesazh të qartë për Serbinë dhe marrëdhëniet e saj me Rusinë.
“Bashkimi Evropian mbështet Serbinë si një partner i besueshëm, prandaj marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të vazhdojnë sikur të mos kishte ndodhur agresioni rus”, tha Andreas von Beckerath, shef i Delegacionit të BE-së.
Katër vite pas fillimit të luftës, Serbia ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Organizatat joqeveritare paralajmërojnë se narrativat proruse vazhdojnë të kenë ndikim të fortë në opinionin publik, me mbështetje të theksuar emocionale dhe ideologjike ndaj Rusisë dhe me imazhin e Vladimir Putinit si një nga liderët më të popullarizuar.
“Gjatë këtyre katër viteve jemi përballur me pasoja të një trashëgimie negative dhe mungesë përballjeje me të kaluarën, që kanë çuar në rritje të mbështetjes për agresionin rus dhe një putinofili shqetësuese”, tha Millena Beriq nga Shoqata 'Krokodil'.
Ndryshe, mediet e afërta me pushtetin në Serbi e favorizojnë perspektivën ruse, sidomos në temat energjetike dhe politike. Si shembull i propagandës përmendet faqja e parë e një tabloidi proqeveritar që katër vite më parë pretendoi se Ukraina kishte sulmuar Rusinë, që konsiderohet si një nga shembujt më flagrantë të dezinformimit.























