Analistët e RTK-së: Real-Benfica, duel që do të sjellë rivalitet të zjarrtë
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Ndeshja ndërmjet Real Madrid dhe Benfica konsiderohet sfida kryesore e natës së sotme të fazës së play-off-it në Ligën e Kampionëve, dhe mund të ndiqet drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës.
‘Los Blancos’ dhe skuadra portugeze do të përballen në ‘Bernabeu’, në një duel që pritet të sjellë përballje të zjarrtë.
Madrilenët hyjnë në këtë ndeshje me epërsinë prej 1-0, të arritur një javë më parë në Lisbonë, megjithatë të besuarit e Jose Mourinhos në ‘Bernabeu’ do të zbresin me synim përmbysjen e rezultatit të duelit të parë.
Analistët e RTK-së, në emisionin që i dedikohet Ligës së Kampionëve, shprehen të bindur se përballja mes skuadrës ‘merenguese’ dhe Benficës do të prodhojë një ndeshje interesante.
Megjithatë, sipas tyre, Real Madrid është favorit për të kaluar në rrethin tjetër të garës më të madhe në Evropë.
Trajneri i njohur Ramiz Krasniqi thotë se nuk është çudi që sonte në Madrid të ndodhë një tjetër befasi, ashtu siç ndodhi mbrëmë në duelin Inter-Bodo/Glimt:
“Nuk është çuditshme të ndonjë befasi siç kanë ndodhur edhe më herët. Janë dy skuadra që luajnë futboll në nivelin më të madh. Trajnerët, përvoja e lojtarëve dhe cilësia është një tersi që mund të sjellë një ndeshje të madhe”, tha ai.
“Ka ekipe që kanë rivalitet të lartë nga kohërat e mëhershme dhe atëherë kur luajnë skuadra të tilla edhe rivaliteti dhe dëshira për fitore është gjithnjë e më e madhe”, ka theksuar Krasniqi.
Një duel të fortë mes Real Madrid dhe Benfica e parashikon edhe Malsor Gjonbalaj, një tjetër trajner i futbollit tonë.
“Më këtë terminologji gjigant mund të identifikohet edhe Benfica. Sigurisht se nuk krahasohet me Realin që ka shumë trofe”, pohoi ai.
“Do të jetë një lojë e drejtpërdrejt pikërisht për punën që ka bërë Jose Mourinho kur ishte aty. Mourinho do të jetë në tribuna, megjithatë ndikimi i tij do të jetë drejtpërdrejt. Ai e kishte përgatitur mjaft mirë edhe ndeshjen e parë edhe pse humbën ndeshjen. Individualiteti është përparësi tek Reali, edhe pse kjo skuadër do të jetë pa disa lojtarë të lënduar si Mbappe”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndeshja mes Real Madrid dhe Benfica nis në orën 21:00.























