Clinton thotë se nuk dinte për Epstein, kërkon që Trump të merret në pyetje
BKT
Foto: BBC
Rajoni dhe Bota

Clinton thotë se nuk dinte për Epstein, kërkon që Trump të merret në pyetje

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Hillary Clinton po dëshmon në një seancë me dyer të mbyllura para ligjvënësve amerikanë lidhur me rastin e Jeffrey Epstein, ndërsa ka deklaruar se “nuk kishte asnjë ide” për krimet e tij dhe kërkoi që të merret në pyetje edhe presidenti Donald Trump, shkruan BBC.

Në deklaratën e saj hyrëse, të publikuar në rrjetet sociale, Clinton kërkoi që Komiteti i Kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve, i udhëhequr nga republikanët, të thërrasë për dëshmi edhe Trumpin. Ajo tha se nuk ka asnjë informacion për krimet e Epstein dhe nuk kujton të ketë takuar apo biseduar ndonjëherë me të.

Ligjvënësit pritet të japin përditësime për mediat gjatë ditës mbi dëshminë e saj. Nuk ka pretendime se përfshirja e një personi në dokumentet e Epstein, që përmbajnë miliona dosje, nënkupton domosdoshmërisht keqbërje.

Clinton akuzoi komitetin se po zhvillon “teatër politik partiak” dhe se po shmang hetimin e personave që shfaqen më shpesh në dosjet e rastit. Sipas saj, ajo po thirret për dëshmi edhe pse nuk ka pasur asnjë takim me Epstein dhe nuk ka pasur dijeni për aktivitetet e tij kriminale, duke shtuar se hetimi po përdoret për motive politike.

Në deklaratë thuhet se edhe ish-presidenti Bill Clinton do të dëshmojë të nesërmen. Ai ka pranuar se e njihte Epstein, por ka mohuar përfshirje në veprimet e tij.

Hetimi i Komitetit të Kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve fokusohet në mënyrën se si Epstein krijoi pasurinë, lidhjet e tij me figura të fuqishme dhe nëse ai mund të ketë vepruar si agjent i ndonjë qeverie. / Burimi: BBC


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota