Ushtria afgane sulmon Pakistanin pas bombardimeve
BKT
Rajoni dhe Bota

Ushtria afgane sulmon Pakistanin pas bombardimeve

Sh.Çoçaj/RTKlive

Ushtria afgane ka sulmuar sot instalime ushtarake pakistaneze përgjatë kufirit, duke e cilësuar veprimin si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve vdekjeprurëse të fundjavës së kaluar.

Zëdhënësi i qeverisë talebane, Zabihullah Mujahid, deklaroi se “dhjetëra ushtarë pakistanezë u vranë (…). Disa u plagosën gjithashtu dhe të tjerë u morën robër”, duke shtuar se mbi 15 posta kufitare pakistaneze ishin eliminuar.

Pretendimet u hodhën poshtë nga një zëdhënës i kryeministrit pakistanez, Shehbaz Sharif, i cili theksoi se “asnjë pozicion pakistanez nuk u mor ose u dëmtua” dhe se forcat afgane pësuan “humbje të mëdha”.

Ndërkaq, zëvendëszëdhënësi i qeverisë afgane, Hamdullah Fitrat, u shpreh se “këto ofensiva në shkallë të gjerë u nisën në shenjë hakmarrjeje kundër armikut”.

Një përfaqësues i ushtrisë afgane bëri të ditur se trupat e dislokuara në provincat lindore Nangarhar dhe Kunar kishin kryer “sulme masive kundër posteve pakistaneze”, ndërsa zyra e guvernatorit dhe banorë të provincës Kunar konfirmuan se operacioni ushtarak ishte në zhvillim.

Nga ana tjetër, Ministria e Informacionit e Pakistanit deklaroi se “afganët hapën zjarr në mënyrë të njëanshme në disa pozicione përgjatë kufirit me provincën Khyber Pakhtunkhwa”, duke shtuar se Pakistani kishte ndërmarrë “një përgjigje të menjëhershme dhe të fuqishme”.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota